E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e LSI-së: Vendimi për aleancat paszgjedhore, vetëm pas rezultatit të zgjedhjeve

Një komision i posaçëm i LSI-së do të dokumentojë të gjitha manipulimet që iu bënë procesit zgjedhor. Raporti i LSI-së do të informojë OSBE-ODIHR-in dhe faktorin ndërkombëtar

Shaban Sulçe

Ka përfunduar dje në orët e vona të mbrëmjes mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, mbledhja e parë që pas zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Forumi i lartë drejtues i LSI-së ka bërë një analizë rreth situatës paszgjedhore, ku ka diskutuar kryesisht edhe për qëndrimin që do të mbajë kjo forcë politike. Sipas burimeve nga LSI-ja, Kryesia e kësaj partie ka vendosur që vendimi për koalicionin paszgjedhor të merret vetëm pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë vendim dhe qëndrim politik ndaj koalicioneve apo aleancave që mund të formohen për qeverinë e re. Vetëm pas shpalljes së rezultateve ne do të bëjmë një analizë të gjerë të situatës politike, elektorale dhe shoqërore. Më pas do të mbledhim forumet tona të larta drejtuese nga ku do të kemi edhe një vendim dhe qëndrim politik”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Prifti
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, foli gjithashtu edhe për deklaratën e bujshme të deputetit të LSI-së, Dritan Prifti. Vasili tha se kjo ka qenë një deklaratë emocionale e zotit Prifti, e cila ka ardhur si rezultat i trysnisë dhe presionit të shfaqjeve kriminale dhe masakruese që iu bë procesit zgjedhor në qarkun e Fierit. “E kemi përsëritur disa herë dhe po ju sqarojmë se ajo ka qenë një deklaratë emocionale e zotit Prifti, i cili është gjendur përballë një shfaqjeje kriminale dhe masakruese që kishte për qëllim grabitjen e votave të fituara nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, - tha ai. Vasili iu kundërpërgjigj edhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Rama nuk ka asnjë të drejtë të flasë në emër të LSI-së. Ne e ndajmë Partinë Socialiste nga Rama”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së lëshoi akuza të ashpra në drejtim të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas Vasilit, Rama ka tentuar që të eliminonte LSI-në. “Rama pati qëllim të eliminonte LSI-në përmes një operacioni policesko-kriminal”, - vijoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Kryesia
Vendimi kryesor i marrë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së LSI-së ka pasur të bëjë me planin e LSI-së për dokumentimin e të gjitha manipulimeve dhe cenimeve që u është bërë votave të kësaj partie gjatë procesit të numërimit të votave. Kryesia e LSI-së vendosi të ngrejë një komision për evidentimin dhe dokumentimin e shkeljeve të procesit të numërimit. Komisioni shumë shpejt do të publikojë një raport të dokumentuar. Raportet do të informojnë edhe misionin e OSBE-ODIHR-it si dhe faktorin ndërkombëtar. Lëvizja Socialiste për Integrim pretendon se është një forcë politike, e cila u dëmtua gjatë procesit të numërimit të votave për shkak të mungesës së komisionerëve. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, gjatë një prononcimi për shtyp dy ditë më parë, tha se LSI-së i janë grabitur më shumë se 50 mijë vota. Sipas Vasilit, të gjitha këto manipulime janë të dokumentuara dhe të verifikuara.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›