Vangjel Tavo: LSI nuk ka përparësi pushtetin, por integrimin e vendit

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ministër i Shëndetësisë, Vangjel Tavo deklaroi në Gjirokastër se LSI është në tentativa dhe synon të krijojë një pol të ri në politikë me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Frymën e Re Demokratike dhe Mega-n.
Tavo u ndal te domosdoshmëria e krijimit të një poli të ri në politikën shqiptare për t’i dhënë fund mbizotërimit të dy partive të mëdha, Demokratike dhe Socialiste.
“Pavarësisht nëse do të realizohet ose jo ky pol, LSI do të bëjë koalicion me partinë fituese vetëm pas zgjedhjeve të 23 qershorit”, tha Tavo.
Ai theksoi se LSI nuk ka përparësi pushtetin, por integrimin e vendit.
Sipas deputetit Tavo, “procesi i integrimit të vendit është penguar nga dy forcat e mëdha politike, të cilat kanë bërë lojën e maces me miun, duke e lenë Shqipërinë dy vjet mbrapa”. Ai theksoi rolin LSI për integrim në proceset integruese europiane, ndërsa nënvizoi se prej themelimit të saj, LSI ka pasur si objektiv madhor integrimin europian të Shqipërisë dhe këtë objekt vijon ta ketë edhe tani. “Asnjë forcë tjetër politike nuk është ngritur mbi interesat partiake, sikundër ka bërë LSI për të cilën integrimi vendit është mbi gjithçka”.