E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjeli ndalon Ronaldon, tani oferta nga Gjermania

Kristi Vangjeli është shndërruar në një “killer” i futbollistëve të mëdhenj. I “rekrutuar” pas kërkesave të përsëritura nga kroati Oto Bariç, i dashuruar marrëzisht me mbrojtësin inteligjent, Vangjeli bëri një paraqitje fantastike në “Turf Moor” të Bërnlit, ku mbuloi rreptësisht një nga talentet më të mëdha të Anglisë, Michael Owen.

Mbrojtësi korçar i Arisit të Selanikut ia shpërbleu besimin 75-vjeçarit Bariç, duke nxjerrë jashtë loje sulmuesin holandez të Arsenalit, Robin van Persie në humbjen 0-1 më Holandën në “Qemal Stafa”, ku vetëm goli i minutës së fundit shtesë nga ana e Ruud van Nistelroy (93’) vendosi dhe fatin e takimit të vlefshëm për eliminatoret e Euro 2008.

Të mërkurën në Braga të Portugalisë, 23-vjeçari dhuroi një tjetër paraqitje mbresëlënëse, duke neutralizuar atë që konsiderohet si lojtari më i mirë në botë: Kristiano Ronaldon në eliminatoret e Botërorit 2010.

Performanca e jashtëzakonshme kundër Portugalisë e vlerësuar edhe nga agjentë të shumë klubeve të pranishëm në Braga, e ka vendosur mbrojtësin në qendër të merkatos dimërore.

Lajmi pohohet edhe nga agjentët e lojtarit, të cilët pohojnë se për Vangjelin interesohen disa klube gjermane të Bundesligës 1, parë dhe faktin se shqiptarët janë të mirëpritur në Gjermani, ku të paktën luajnë gjashtë futbollistë në kampionatin maksimal: Lala, Skela, Kapllani, Toski, Mavraj, Sadriaj.

Vetë lojtari në një prononcim të tij për mediat shqiptare e pranon faktin se për të interesohen disa klube, por për momentin është ende nën kontratë me klubin e tij grek, Arisin, ku për çudi ende nuk ka shumë minuta lojë në këmbët e tij.

E Shtune, 18 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›