Vanhanen: Finlanda mbështet fuqimisht pavarësinë e Kosovës
Qeveria, Parlamenti dhe populli i Finlandës, që kanë mbështetur fuqimisht pavarësinë e Kosovës, edhe në të ardhmen do të mbështesin institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik sipas standardeve europiane. Kjo u rikonfrmua në takimet që pati delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi me kryeministrin e Finlandës, Matti Vanhanen dhe me zëvendëskryetarin e Parlamentit, Seppo Keriainen. Gjatë takimit me ta, Krasniqi informoi lidhur me zhvillimet aktuale në vend dhe falënderoi për mbështetjen e deritashme të parezervë të Finlandës gjatë procesit për jetësimin e pavarësisë së Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit më të ri demokratik në botë. Në këtë kuadër, Krasniqi potencoi mirënjohjen për kontributin e shquar, pa ekuivoke, të politikanit, diplomatit dhe humanistit, Martti Ahtisaari. Ndërkaq Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka vazhduar takimet me homologë të tij, nga vende që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë lobimi për pavarësinë e Kosovës, ndërsa temë kryesore ka qenë procesi i njohjeve, rëndësia e tij si dhe kërkesa e ripërsëritur e qeverisë së Kosovës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu, nё takime tё veçanta, ministri Hyseni ёshtё takuar me ministrin e Punëve tё Jashtme tё Irakut, Hoshyar Zabari dhe me ministren e Punëve tё Jashtme tё Mauritanisё. Në këto takime, ministri Hyseni homologëve të tij u ka ripёrsёritur thirrjen pёr njohjen e shtetit tё Kosovёs, ndërsa nga ata ka marrë siguri për përcjellje të kërkesës drejt qeverive të tyre.