E Diel, 1 Nëntor 2026

Vapa e korrikut “çmend” në veshje punonjësit e administratës



Ndoshta për efekt të vapës së korrikut, apo duke shfrytëzuar disi dhe shpërqendrimin e eprorëve, punonjësit e administratës kanë thyer rregullat e veshjes serioze. Mirëpo, fenomeni duket se nuk është gëlltitur si në zyrat e kryeministrisë, ashtu edhe në dikasteret e tjera të rëndësishme. Ministri Olldashi jo vetëm s’ka toleruar më por ka firmosur një urdhër të posaçëm për veshjen e femrave dhe meshkujve. Mësohet se shkak është bërë performanca e disa prej punonjëseve të administratës apo përfaqësueseve të investitorëve, në mbledhjen e fundit të KRRTRSH-së. Ecejaket e vajzave më shumë të zhveshura sesa të veshura, duke servirur dokumentacionin e nevojshëm për mbledhjen apo duke prezantuar projektet duket se kanë vënë në siklet jo vetëm shefin e qeverisë, por edhe ministrat që kanë qenë prezent. Madje aq shumë përshtypje i kanë bërë këto parakalime, sa fill pasi ka përfunduar, i ka kërkuar Ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, të vërë pak rregull në institucion.
Urdhri
Ministri Olldashi nuk është mjaftuar vetëm me femrat, por u ka kushtuar paragrafë më vete për mënyrën si duhet të vishen meshkujt, për të qenë sa më seriozë. Sipas këtij urdhri, tani e tutje meshkujt e administratës duhet patjetër të kenë kostum ose bluzë model “Polo”. Këta të fundit duhet t’u thonë qoftë lamtumirë, atleteve apo shapkave me gisht. Olldashi tashmë ka urdhëruar që punonjësit e administratës, në mbledhje duhet të kenë veshur patjetër këpucë. Ndërsa femrat, për të mos tunduar e shpërqendruar të pranishmit në panel, që marrin vendime shumë të rëndësishme për investimet në infrastrukturën e vendit, duhet patjetër të jenë të veshura me kostum ose me fustane me mëngë, apo me këmisha. Nga ky rregull përjashtohen funksionarët politikë dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët janë në fuqi rregullat e ceremonialit zyrtar apo legjislacione të posaçme. "Përfaqësuesit e subjekteve investitore, vendas ose të huaj, të nivelit teknik apo të nivelit ekzekutiv, për të mbrojtur projektet në mbledhjet e KRRTRSH-së është e domosdoshme të paraqiten me veshje etike dhe serioze. Për këtë qëllim, për këta persona veshjet formale janë të domosdoshme", thuhet në urdhrin që mban firmën e pak ditëve më parë të ministrit, Olldashi. Pjesa më e madhe e institucioneve, për etikën në veshje kanë nxjerrë rregullore të brendshme. Punonjësit e vjetër tashmë e kanë mësuar se puna është punë dhe nuk mund të bëhet paradë mode. Por me rrokadat e shpeshta të administratës, muajt e fundit ka plot elementë të rinj, të cilëve u duhet pak kohë sa të përshtaten. Gjithaq nuk mungojnë edhe rastet, të tilla ku për të qenë sa më të vështruara në ambientet e zyrës, veshjet mini e dekolte bëhen enkas. Pse jo, disa funksionojnë me mendësinë se shefit kësisoj mund t'i biesh më lehtësisht në sy. Më tej, avantazhet mund të jenë jo pak. Pozicion më i mirë, ndoshta rrogë më të lartë, e lehtësira të këtij tipi. Në ditët e sotme janë jo pak femrat që ecin me këtë moto. Por sigurisht, fenomeni është botëror, ndonëse këtu tek ne shpesh ndërthuret me mungesën e kulturës dhe provincializmin. Urdhra të tillë janë të domosdoshëm në të gjitha ambientet e punës, për të garantuar më shumë vëmendje jo tek fasadat, por tek aftësitë profesionale.
Femrat
Megjithëse urdhri përfshin brenda tij disa rregulla për mënyrën e veshjes edhe të paraqitjes së meshkujve, në realitet në qendër të këtij urdhri janë femrat. Me qëllim përqendrimin sa më shumë në punë të meshkujve, por edhe për t’i dhënë dikastereve shtetërore seriozitetin maksimal, femrat do të jenë të detyruara që megjithëse kanë hyrë në stinën e verës të vishen ose si në pranverë ose si në vjeshtë. Pra me bluza të mbyllura, me këpucë me taka të ulëta, të kenë një grim sa më të lehtë, funde afërsisht deri tek kupa e gjurit, bizhuteri sa më të vogla që nuk tërheqin vëmendjen si dhe forma flokësh që nuk tingëllojnë provokuese. Për nëpunëset femra, veshja duhet të jetë serioze e jo ekstravagante, me funde shumë të shkurtra, këmisha ose bluza dekolte dhe këpucë me taka të larta. Nëpunëset femra, duhet të tregojnë kujdes për modelin e flokëve, të mos jenë ekstravagante dhe me nuanca tepër të theksuara. Kjo vlen edhe për makiazhin dhe aksesorët e tjerë, në mënyrë që të jenë në përshtatje me detyrën dhe funksionin e nëpunësit të lartë, të shtetit. Nëse nëpunëset femra nuk zbatojnë kërkesat e këtij urdhri, çdo epror apo eprore e tyre, ka të drejtën që të mos e pranojë në punë atë ditë. Në rast përsëritje nëpunësja femër mund të humbasë edhe vendin e punës.
Meshkujt
Urdhrit në fjalë do t’i nënshtrohen edhe të gjithë meshkujt që punojnë në kryeministri dhe nëpër ministrit. Ky urdhër përjashton mundësinë e veshjes në mënyrë sportive në ambientet e kryeministrisë dhe të ministrive. Çdo nënpunës i gjinisë mashkullore që punon në kryeministri dhe nëpër ministri, do të duhet të paraqitet në punë me kostum, këmishë dhe kravatë. Përpos kësaj, ata duhet të bëjnë edhe një paraqitje korrekte figurative që do të thotë të jenë të qethur në mënyrë të përshtatshme dhe të rruar. Çdo shkujdesje e tyre në këtë drejtim mund të pasohet me pasoja aspak të këndshme për ta.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›