Berisha: Rama fshihet pas karriges së Bashkisë
Jonuz Hallaci
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e ka ftuar sërish rivalin e tij politik të përfshihet në garën për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Në takimin e mbrëmshëm në qytetin e Lezhës, lideri i PD-së iu drejtua Ramës me shprehjen se “ftoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës që të shfrytëzojë rastin që po i jap. I mbeten edhe tre ditë dhe në rast se do, do t’ia ndryshoj ligjin që të dalë në krye të betejës, ashtu siç kërkon rregulli demokratik, ashtu siç kërkon tradita demokratike”. “Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t’i kërkojmë kurrkujt kurrë votën, në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, sepse qytetarët do të të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre. Mos u fshih pas karriges së bashkisë”, deklaroi Berisha. Për Kryeministrin “28 qershori po vjen dhe në këto zgjedhje ne kemi një shans historik”. “Shansi ynë është sepse për herë të parë ne mund të votojmë si anglezët, gjermanët dhe francezët, me dëshmitë më të mira të identitetit tonë. Ndaj, dua t’ju bëj thirrje që t’i merrni letërnjoftimet e reja, sepse janë fytyra juaj e re moderne dhe na barazojnë ne me të gjithë qytetarët e vendeve më të zhvilluara evropiane. Ato i bëjnë zgjedhjet tona të shkëlqyera, të lira dhe të ndershme. Ndaj dhe unë ju ftoj që javën që vjen të mos mbetet qytetar demokrat, socialist, republikan, qytetar i çdo bindje politike pa marrë letërnjoftimin”, theksoi Berisha. Ai ftoi qeveritarët vendorë dhe kandidatët për deputet të të gjitha partive që të bëjnë përpjekjet më të mëdha, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të marrë letërnjoftimet.
Takimi
në Fushë-Krujë
Në takimin e zhvilluar në Fushë-Krujë, Berisha deklaroi se në mandatin e dytë qeverisës do të hapin 160 mijë vende të reja pune. Ndërsa nuk ngurroi të sulmonte Kryebashkiakun Rama për vizitën e Presidentit Bush në qershorin e kaluar. “Këtu në Fushë Krujë u bë historia. Këtu erdhi për t’u takuar me ju Presidenti i SHBA. Por një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur”, deklaroi Berisha. Për Kryeministrin, Rama tentoi të shpifte ndaj vizitës historike të Presidentit amerikan. “Vëllezër e motra, fushëkrujas, krutane e krutanë, asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t’i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t’ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut, të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme, që ju i rezervuat Presidentit George W.Bush”, theksoi Berisha.