E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varadi: Kosova që prej 1999, nuk është nën Serbinë

Prishtinë - Rreziku që ka marrë Serbia me daljen përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) e cila do të vendosë mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk është i madh, sepse Kosova faktikisht nga viti 1999 nuk është në pushtetin serb,-ka deklaruar eksperti i të drejtës ndërkombëtare dhe ish përfaqësuesi i Serbisë në këtë gjykatë, në padinë e Bosnjës e Hercegovinës, Tibor Varadi, për gazetën “Politika” të Beogradit.

Varadi vlerëson se nuk është plotësisht e përjashtuar që mendimi këshillues i GJND mbi shpalljen e pavarësisë të jetë ashtu që të mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, respektivisht që edhe pala serbe edhe ajo shqiptare mund ta trajtojnë si fitore të vetën në shkallën më të lartë gjyqësore në botë. Mirëpo, kjo do të nënkuptonte se është lëshuar rasti që të zgjidhet një çështje juridike që është edhe funksioni kryesor i gjykatës.

Profesor Varadi thotë se mendimi këshillues s’e obligon askënd por ka peshë të madhe politike. Me siguri do të ketë argumente se kjo nuk është çështje juridike dhe gjykata me këtë nuk duhet të merret. Por vërtetë do të befasohesha jo për të mirë sikur gjykata do ti pranonte ato argumente.

Pyetjes nëse mundet gjykata të shpallet jo-kompetente nëse Asambleja e Përgjithshme (AP) e KB nga ajo ka kërkuar mendimin, Varadi thotë se kjo është e mundshme.

“Besoj se do të ketë iniciativa në këtë rrafsh, para se gjithash nga Prishtina, dhe të disa vendeve tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo kjo është çështje juridike “par exelans” dhe si të tillë e ka kualifikuar edhe AP e KB. Qëndrimi tjetër do të ishte i çuditshëm në këto rrethana.

Megjithatë do të ketë edhe shtete të tilla të cilat sinqerisht janë të interesuara që instanca më e lartë juridike e botës të jap mendimin për këtë çështje të ndërlikuar, sepse nga njëra anë keni të drejtën e popujve për vetëvendosje, e në anën tjetër parimin e sovranitetit, dhe, këto dy principe nuk është lehtë gjithmonë të bashkohen. Argumentet që i parqet pala jonë dhe që kam pasur rast t’i shoh, janë hartuar mire dhe kanë peshë të konsiderueshme”, thotë Varadi.

Çfarë pasoje do të prodhonte mendimi i gjykatës se shpallja e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare ? Sa është ky rrezik për Serbinë e cila ka thënë se do ta pranojë vendimin e gjykatës çfarëdo qoftë ai, ka qenë pyetja tjetër e gazetës ?

Varadi thotë se ai nuk sheh këtu ndonjë dallim. Nëse gjykata do të mbetet në qëndrimin e tillë, Kosova nuk do të na merrej edhe njëherë, ajo faktikisht që nga viti 1999 nuk është në pushtetin serb. Gjendja faktike nuk do të ndryshohej, por ajo dot ë bëhet më e forte se deri më tash.

Por sikur gjykata të marrë vendimin se me shpalljen e pavarësisë është shkelur e drejta ndërkombëtare, kjo atëherë mund edhe njëherë t’i hap dyert e negociatave, vlerëson Varadi.

Pyetjes së gazetës se a mendon se shqiptarët janë të gatshëm për një gjë të tillë pasi që e kanë mbështetjen e disa nga vendet më të fuqishme për shpalljen e pavarësisë, profesor Varadi thotë: “Nuk besoj se ndokush do të mund të përgjigjej në këtë pyetje, por mendoj se megjithatë ka ekzistuar shansi për negociata.

Administrata e re amerikane me siguri do të dëshironte të tregojë se është për sundimin e drejtësisë dhe negociatat do të hapnin mundësi të arrihet ndonjë zgjidhje, por me qëllim që gjendja faktike të mos ndryshojë qenësisht. Negociatat janë mënyrë që secilit t’i shpëtohet nderi, e para se gjithash atyre shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Varadi.

Duke folur për mundësinë e ndikimit politik në gjykatë, Varadi thotë se nuk mendon se gjykata është nën ndikimin politik. Në gjykatë ka shumë njerëz, kjo është çështje e ndërlikuar juridike, por ekziston edhe faktori njeri, mirëpo nuk mund të bëhet fjalë për diktatin politik. Do të jetë interesante të shihet se cilat vende e kanë konsideruar të rëndësishme të marrin pjesë në këtë proces duke parashtruar argumente në favor të palës serbe apo shqiptare. Ky do të jetë indikator i rrjedhave dhe ndarjeve politike në botë, përfundon profesor Varadi. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›