E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Mosnjohja nga 5 shtete të BE-së, problem

Prishtinë - Ish-ndërmjetësi për statusin e Kosovës, Albert Rohan shkruan në gazetën kosovare Koha Ditore, se refuzimi i vazhdueshëm i pesë shteteve anëtare të BE-së për të njohur pavarësinë e Kosovës, është shkaktari rrënjësor për veprimet e dobëta, të dykuptimshme dhe të paefektshme të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Rohan, duke analizuar dokumentin e fundit rreth Kosovës, nga instituti spanjoll FRIDE - që propozon ndryshim të qasjes së BE-së ndaj Kosovës dhe zëvendësimin e planit të Ahtisaarit me një alternativë evropiane - ka vlerësuar se, derisa analiza e situatës në këtë dokument në themel është e saktë, dështon madje edhe të përmendë shkakun kryesor edhe të paaftësisë së BE-së që të veprojë në mënyrë më të efektshme në lidhje me çështjen e Kosovës në përgjithësi edhe të problemeve që ka EULEX-i në kryerjen e funksioneve të veta.

“Mungesa e një pozite unike të BE-së është shkaktari rrënjësor për veprimet e dobëta, të dykuptimshme dhe të paefektshme të Unionit”, vlerëson Rohan, duke shtuar se edhe kërkesa që bëhet në këtë dokument që Serbia dhe shtetet e tjera të Ballkanit t’i bashkohen Unionit sa më shpejt është e papranueshme, pasi që sipas tij, “është e pa paramendueshme që Serbia, apo Kosova, të anëtarësohen në BE pa i zgjidhur dallimet që kanë mes vete”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›