E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mësosh në kushtet e mesjetës

Shkollës së re i duhen edhe 3 milionë lekë që të kompletohet, fond që vazhdon të mos lëshohet nga MASH-i


Në komunën Gosë rreth 130 nxënës mësojnë në ambientet e shtëpive të braktisura nga banorët e zonës


KAVAJË - Rreth 130 nxënës në komunën Gosë mësojnë në ambientet e shtëpive të braktisura nga banorët e zonës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk lëshon fondin prej 3 milionë lekësh për kompletimin e shkollës së re, që tashmë është ndërtuar.

Godinat e vjetra jo vetëm që nuk janë funksionale për të zhvilluar orët e mësimit, por përkundazi janë edhe të rrezikshme për jetën e fëmijëve dhe mësuesve që qëndrojnë në to. Tavanet janë gati në shembje, muret duken sikur ka rënë tërmet i fuqishëm dhe i ka çarë tej-përtej.

Ky është realiteti me të cilin janë përballur nxënësit gjatë gjithë këtij viti akademik. Gjatë ditëve të ftohta, prindërit janë gjendur përpara një dileme nëse duhet apo jo t'i dërgojnë fëmijët në shkollë.

Nga njëra anë i mundonte fakti se fëmijët mund të ftohen, dhe nga ana tjetër që do të ngelen prapa me mësime. Me gjithë vështirësitë e hasura, përsëri mësimi ka vazhduar pa ndërprerje. Drejtori i shkollës 9-vjeçare të Gosës, Ndriçim Dushku, tre muaj më parë premtoi se me mbarimin e semestrit të parë mësimor, godina e re do të ishte gati.


Madje sipas informacioneve të marra nga Zyra Arsimore në Kavajë me drejtues Artan Lilamanin, pritej që shkolla e re të pajisej me të gjitha mjetet dhe kabinetet që duhen për të zhvilluar procesin arsimor brenda vitit 2008. Por, me sa duket, premtimet e bëra në atë kohë kanë mbetur vetëm fjalë, pa u konkretizuar në vepra të plota.

Pasi nxënësit vazhdojnë të mësojnë në ambjentet e shtëpive të braktisura e të rrënuara. Me mbarimin e semestrit të parë dhe fillimin e të dytit, në këtë komunë e vetmja gjë e ndryshuar është ndërtimi i godinës së re, ndërsa nxënësit vazhdojnë të edukohen nëpër ambjentet e ambulancës së fshatit, shtëpitë e braktisura etj. Kompletimi dhe vënia e saj në funksionim nuk ka nisur ende dhe nuk dihet se kur mund të fillojë.


Drejtuesi i pushtetit vendor në komunën Gosë, Sinan Shala, thotë se i janë dërguar disa kërkesa Ministrisë së Arsimit, të cilat kanë mbetur pa përgjigje.

"Pritet të vijë një fond shtesë prej 3 milionë lekësh për arredimin dhe pajisjen e shkollës me mjetet përkatëse, por nuk e dimë se kur do të lëshohet nga ministria", pohon Shala. Kështu, deri në kthimin e përgjigjeve, deri në kohën kur kjo ndërtesë të mbushet e kompletohet, nxënësit do të jenë të detyruar t'i nënshtrohen mësimit në kushte të ngjashme me ato mesjetare.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›