Varfëria dhe shtrenjtësia i detyron shqiptarët që t’i kthehen tregut të Gabit
Mallrat e përdorura dhe tregu zëvendësojnë butikët. Biznesit të vogël i bien shitjet nga 10.1 në 9.7 miliardë lekë
Ervin Koçi
Edhe pse para pak vitesh kishim nisur të ndjeheshim si blerës të kualifikuar, duket se sërish ky titull, ndoshta i pamerituar, i është hequr sërish konsumatorit shqiptar. Megjithëse dyqanet dhe qendrat tregtare që shesin artikuj të modës dhe pajisje nga më të fundit janë shtuar, përsëri klientët në to janë me kokrra në një kohë që pjesa tjetër mbeten vetëm vizitorë. Shkaku: ekonomia e dobët, mungesa e të ardhurave të mjaftueshme, rritja e çmimeve të artikujve të konsumit ushqimor dhe atyre më të domosdoshëm. Pasoja: shitjet e kryera nga biznesi i vogël kanë rënë me 3,5 për qind vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit, një pjesë e madhe e dyqaneve dhe butikëve mbyllen më përpara se të hapen, pjesa tjetër paguan qiranë nga xhepi në një kohë që mban të afishuara tërë kohës tabelat “skonto 70 për qind”, “likuidim total” etj., si dhe fluks njerëzish në dyqanet me mallra të përdorura, në tregjet e mëdha me mallra kineze dhe te “gabi”. E gjitha kjo është pasoja dhe fotografia e asaj që mund të quhet me plot gojë dobësim ose rënie ekonomike. Nga ana tjetër, firmat më të kualifikuara, të cilat shesin pajisje dhe makineri të shtrenjta, kanë nisur që të përdorin dhe lizingun (kredi e butë me afat të gjatë), një mundësi kjo për t’i joshur më tepër klientët që të mos mbesin vetëm nga ana e jashtme e vitrinave, por pa shpresë. Blerësit duket se kanë avulluar.
Blerësit e “kualifikuar”
Shumë prej nesh, që deri dje kishin dëshirë që të bënin pazar në dyqanet më të mira të Tiranës, të visheshin sipas modës dhe firmato, të kishin pajisjet më të fundit elektronike dhe elektroshtëpiake, tani kanë nisur të mendohen dy herë përpara se të bëjnë një blerje. Këtë gjë e konstaton edhe nëpër qendrat e mëdha tregtare moderne që janë hapur ngado nëpër kryeqytet, ku syri të kap më shumë shitëse simpatike të dëshpëruara (se nuk kanë shitur), sesa blerës. Po kështu edhe në rrugën e famshme të butikëve të shtrenjtë “Myslym Shyri”, rrallëherë të sheh syri ndonjë individ që del me qese luksoze butiku, pasi ka blerë ndonjë send. Këtë shqetësim tani kanë nisur ta shprehin shitësit dhe pronarët e dyqaneve të ndryshme, ku që të gjithë, në mënyrë të sinkronizuar kanë vetëm një parullë: “Aha! Ka rënë puna...”. Të vetmit që gëzojnë nga kjo situatë janë tregtarët e tregjeve të mëdha industriale në kryeqytet si te Medreseja, apo edhe në disa zona të tjera, ato kinezë dhe natyrisht edhe tregtarët e “gabit”, ku klientët nuk shterin asnjëherë. Konsumatorët blejnë në këto tregje relativisht më të lira se dyqanet çfarëdolloj produkti, duke nisur nga veshjet, këpucët, të brendshmet, kozmetika, detergjentet, elektroshtëpiaket etj. Gjithashtu kohët e fundit janë shtuar dhe po punojnë me sukses edhe dyqanet apo sallonet që shesin mobilie të përdorura dhe objekte të tjera për shtëpitë dhe arredimin e tyre. Aq i madh është fluksi në to, saqë të duket se gjithçka po qarkullon nëpër klientë, sa një ditë mund të riblesh atë send që dikur e ke shitur, se nuk të hynte në punë, ose se të nevojiteshin para.
Situata ekonomike
Të dhëna nga administrata e Tatimeve bëjnë me dije se rezultatet e paraqitura nga biznesi me anë të bilanceve të tij tregojnë për një rënie të shitjeve krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm. Aktualisht në Shqipëri numërohen mbi 85 mijë biznese të vogla, të cilat paguajnë një tatim fitimi prej 1,5 për qind, të cilin e mbledhin organet e qeverisjes vendore. Gjatë gjashtë muajve të dytë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të administratës së tatimeve, numri i bizneseve të vogla që ishin të regjistruara dhe që paguanin tatim fitimi ishte rreth 76 mijë syresh dhe ndërkohë ky numër më i vogël biznesesh kishte kryer një xhiro të përgjithshme më të madhe sesa 85 mijë biznese në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Në buxhetin e shtetit të ardhurat nga biznesi i vogël janë parashikuar pak më shumë sesa 2,9 miliardë lekë (2, 959 miliardë lekë) për këtë vit, të cilat zënë rreth 0,3 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Gjatë vitit që kaloi biznesi i vogël rezultoi të ketë kryer gjatë gjashtë muajve të dytë një xhiro prej rreth 10,110 miliardë lekësh ose mbi 120 milionë dollarë. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ky zë i biznesit ka kryer një xhiro që është rreth 9,7 miliardë lekë. Këto të dhëna dëshmojnë qartë se me gjithë rritjen e dukshme të çmimeve dhe me gjithë numrin e rritur të bizneseve të vogla shitjet e këtij të fundit kanë rënë. Kjo gjë dëshmohet në fakt edhe nga rënia e lehtë e konsumit në këta muaj.
BOX//////////////////////////////
Ngërçi ekonomik rrëzon “pushtetin e blerësve”
Pavarësisht faktit se rënia është në vlera jo shumë të theksuara, ajo përsëri është një shenjë e keqe që drejtpërdrejt ka të bëjë me rënien e pushtetit të blerësve ose më saktë me rënien e fuqisë blerëse. Administrata e tatimeve ushtron kontrolle në bizneset e vogla për të kontrolluar numrin e punonjësve të regjistruar dhe pagesën nga ana e tyre të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa tatimin e fitimit e mbledh njësia e qeverisjes vendore, megjithatë punonjësit tatimorë kanë ende një pushtet të gjerë te këto biznese edhe për shkak të pafuqisë së qeverisjes. Numri i bizneseve të reja të çelura nuk mund të përcaktohet saktë, por mund të thuhet se që prej vitit 2005 janë regjistruar rishtas në organet e tatimeve më shumë se 22 mijë biznese të vogla. Disa prej tyre mund të kenë qenë ekzistuese dhe thjesht tashmë janë regjistruar dhe disa të tjera mund të kenë çelur rishtas. Pavarësisht këtij numri të ri të bizneseve të vogla, rënia e shitjeve të tyre është treguesi më i vlefshëm se ato nuk po kalojnë një periudhë të mirë.
Tregu vendas “mbytet” nga mallrat e lira kineze
Në tregjet e vendit po hyjnë gjithnjë e më shumë mallra të lira e herë-herë edhe skarco nga Kina. Shifrat zyrtare të Drejtorisë së Doganave tregojnë për një shtim të mallrave që kanë kaluar nga doganat për në tregun vendas të mallrave, si makineri, materiale ndërtimi apo edhe konfeksione. Vetëm për fillimin e vitit 2008, këto shifra kapën vlerën prej 2 miliardë e 288 milionë lekë në total, ndërsa në volum këto mallra përbënin 11,057 tonë. Në krahasim me një vit më parë, ndryshimi shprehet me 0,4 për qind më shumë, si peshë specifike. Në vitin 2005, sipas të dhënave nga DPD-ja, nga Kina janë importuar plot 5,272 tonë mallra, me një peshë specifike 1.7 për qind. Në vitin 2006, kjo shifër arriti në 7,145 tonë mallra të importuar, me peshë specifike 2.2 për qind. Në vitin 2007, shifra e mallrave të importuar arriti në 11,033 tonë, me një peshë specifike, 3.1 për qind. Ndërsa për muajt e parë të 2008, shifra e mallrave të importuara arriti në 11,057 tonë me një peshë specifike prej 3.5 për qind. Mallrat e lira që prodhohen në Kinë dhe vende të tjera, e që hyjnë në tregun tonë janë, grupet e konfeksioneve dhe materiale elektrike, por edhe makineri. Kina është prodhuesi kryesor i lëkurës së rëndë dhe të lehtë të përpunuar të gjedhit, me 36 për qind. Shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës shënuan një rritje të ndjeshme për mallra si konfeksione, artikuj shkollorë, lëkurat, gëzofët, mallrat e udhëtimit, çantat, druri dhe artikujt prej tij, por edhe tekstilet dhe artikujt prej tyre, veshjet e këmbëve, veshjet e kokës, çadrat, bastunët, puplat, lulet artificiale, artikuj guri, allçie, çimentoje, asbesti, qelqi apo prodhimet e tij.
IQT: “Bizneset të tregtojnë produkte sipas standardeve”
Inspektorati Qendror Teknik ka nisur një fushatë sensibilizimi me bizneset, me qëllim njohjen e tyre me dokumentacionet që duhet të shoqërojnë mallrat e importit jo ushqimore. Burime zyrtare të IQT-së bënë të ditur se kjo fushatë ndërmerret pas kontrolleve të ushtruara në tregjet vendase, nga të cilat rezulton se në 90 për qind të rasteve ka një shkallë të ulët njohje nga subjektet tregtare, por mbi të gjitha, edhe mungesë të theksuar të dokumentacionit teknik për produktet që tregtojnë. Në këtë fushatë po bashkëpunohet dhe me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim që konsumatorit t'i sigurohet një mbrojtje sa më e plotë e të drejtave dhe interesave ekonomike nga produktet e falsifikuara.
Bankat italiane, skemë për kursimet e shqiptarëve
Dërgesat e emigrantëve shqiptarë që punojnë në Itali kanë tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare të mikro-kredive. Me synim për të tërhequr kursimet e emigrantëve shqiptarë drejt kanaleve të bankave italiane, këta të fundit janë duke u përpjekur të tërheqin interesin e tyre, duke paraqitur paketa të ndryshme monetare. Me ndihmën edhe të projektit "Interreg/Cards IIIA Italia-Albania", i cili konsiston në mbështetjen e emigrantëve shqiptarë që punojnë në Itali, institucionet financiare kredituese që operojnë në rajonin e Pulias kanë hedhur këto ditë me anë të një konference për shtyp idenë e thithjes së kursimeve të emigrantëve, në mënyrë që ata të mos i kalojnë nëpërmjet kanaleve ilegale. Me paratë që do depozitohen në bankat e vogla, emigrantët shqiptarët do të përfitojnë kredi, me të cilat mund të kryejnë investime në vendin nga ku kanë origjinën. Qëllimi final: rritja ekonomike e atyre vendeve që kanë fluksin më të madh të emigrantëve drejt Italisë. Zbatimi i projektit të propozuar ditën e djeshme në Bari i jep mundësi komunitetin shqiptar që, duke i futur kursimet e tyre në bankë, të marrin një trajtim preferencial në raport me procesin e financimit për qëllime të ndryshme, pse jo ngritjen e bizneseve të vogla. "Ky është një shans shumë i mirë, jo vetëm për emigrantët që jetojnë në rajonin e Pulias, por edhe i bankave, të cilat mund të rrisin shërbimet e tyre bankare drejt kreditimit", bëri të ditur Luigi Falzeti i Shoqatës së Bankave Italiane. Vetëm për vitin 2007 emigrantët kanë dërguar për familjet e tyre rreh 970 milionë euro, ku një pjesë e madhe shkon edhe për financimin e bizneseve të vogla ose për jetesën e përditshme. Manovra e fundit financiare nga ana e bankave italiane nuk do t‘u shkojë për shtat bankave që operojnë në Shqipëri, ku një pjesë të aktivitetit e kryejnë me të ardhurat që sigurojnë emigrantët shqiptarë në vendin fqinj përtej Adriatikut.
12 Korrik 2008