E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT-ja, turpi që nuk “prek” mjekësinë dhe politikën



Emanuela Sako

Gjithçka ishte e qetë në jetën e tij, por një ditë ndjeu që rrahjet e zemrës t’i përshpejtoheshin dhe trupi të përshkohej nga dridhje të panumërta. Aventura nisi pikërisht këtu. Është aventura e një pacienti që duket se është e destinuar të mos përfundojë kurrë. E. T., 40-vjeçar, nga një qytet i largët i vendit, vuante nga sëmundja e zemrës. Këtë e kuptoi ditën kur u rrëzua përtokë dhe fëmijët e tij e çuan në spitalin rajonal të qytetit. Por aty nuk mund të bëhej asgjë për të, përveçse një EKO-je zemre. Neglizhenca që u kishte bërë shenjave të para të shfaqjes së sëmundjes e rrezikonte seriozisht jetën e tij. Mjekët i rekomanduan që të nisej menjëherë për në Tiranë, në qendrën më të madhe spitalore në vend, në QSUT. Mjekët i thanë se kishte probleme serioze me zemrën dhe se duhej që menjëherë të shtrohej, por në këtë periudhë (pranverë-verë) pavijoni ishte i tejmbushur nga pacientët. Për më tepër, ai duhet të bënte dhe disa vizita të tjera, që e detyruan të rrinte me ditë të tëra duke kapur mjekët për t’i kërkuar ndihmë dhe për të kryer sa më shpejt analizat. E, ndërsa dhimbja i shtohej. Kriza e dytë e zemrës, për fat, e kapi në derën e konsultave, te shefi i Pavijonit të Kardiologjisë. Prandaj u shtrua menjëherë në urgjencë, ku mori mjekimin e menjëhershëm dhe më pas përfundoi në dhomat e shtrimit. Tri herë në ditë duhet të marrë serumet, por infermierët ia vështirësojnë mjaft dhimbjen, ia shtrëngojnë fort krahun dhe e shpojnë me age 4 herë në njërin krah dhe pastaj janë gati ta riprovojnë. E. T.-së i shtohet inati me shokët e dhomës, se përse atyre nuk u bllokohet agia, ndërsa atij po. Por, më në fund e kupton filozofinë e pakësimit të dhimbjes: janë kartëmonedhat “lëngu” çudibërës dhe jo preparati që ndodhet në shishet e qelqta. I zgjat dorën dhe i drejtohet infermieres: “Pije një kafe se nuk është asgjë”. Që nga ajo ditë krahu i tij merr ngjyrën e lëkurës dhe shenjat ngjyrë mavi të dorës fillojnë të zhduken. Ndërsa mjeku është hesap më vete. Ai i do kartëmonedhat njëngjyrëshe dhe të radhitura. Sa më i madh të jetë dengu i lekëve, aq më të kujdesshëm bëhen mjeku dhe infermierët ndaj tij. Por ja që nuk ka më. Nuk ka më as lekë, as barna, as serume dhe dhoma vjen erë leckë, se është mbaruar detergjenti në QSUT. Në qendrën spitalore më të madhe të vendit nuk ka barna, nuk ka solucion për pllakat. E paimagjinueshme. Duket se pacientët i ka mbuluar llava e nxehtë e vullkanit, që përhapet me shpejtësi, ashtu siç vërshon larva e keqe që është kapur fort pas trupit të tyre dhe i bren çdo ditë e më tepër. Askush nuk di ku të shkojë më larg se QSUT-ja. Ndërsa kurimi jashtë vendit është një ëndërr e bukur dhe e paprekshme për gjendjen e tyre financiare. Ndërkohë që politika zien se në QSUT janë dhënë fonde dhe janë bërë investime. Qeveria premton se një buxhet i majmë, special, po drejtohet drejt spitaleve. Por horizonti është i pafund dhe asgjë nuk duket në hapësirë. Qeveria mbulohet me turp nga populli, i cili vuan çdo ditë nga dhimbja trupore dhe vuajtjet ekonomike që po rrënon xhepat e tij. Madje, ata që janë të siguruar, u vjen keq për paratë që shteti u mban në çdo fund muaji, pa asnjë destinacion. Spitalet janë kthyer në vend matrapazësh, ku çdo ditë e më shumë rritet pazari i gjilpërës. As pushtuesit, që në kohën e Ilirëve dhe deri në luftërat e fundit që shkatërruan vendin, nuk i prekën qendrat e kurimit dhe mjekët “primitivë”. Ndërsa sot mjekët kryejnë specializime për idealin e lartë, për zhvatjen e pacientëve dhe shtimin e llogarive bankare. Betimi i famshëm i Hipokratit ka ngelur i palosur mes librave të shkencës, në ndryshkun e lashtësisë, ku zbehtësia i ka fshirë shkronjat. Ryshfeti është turpi i fundit i titullit “Doktor” apo “Profesor” për një mjek. Politika po vret shtetasit e vet, po i largon nga vendi dhe po i kall nën tokë të gjallë dhe me dëshirën për të jetuar. Askush nuk po e zbërthen dot enigmën e ngritur nga qeveria. “Përse qeveria hesht?”. Ky është “Sfinksi i shqiptarëve”. Duket se pushteti qeveritar kërkon të mbajë të decentralizuar pushtetin dhe të kontrollojë të gjitha institucionet, jo për mbarëvajtje, por për të ditur gjithçka dhe për të nisur urdhra nga lart. Ajo që është më e çuditshmja në tërë këtë histori, është fakti se përse qeveria nuk reagon. Asnjë deklaratë për situatën, asnjë mendim i zgjuar, por vetëm flitet për reforma, që duken më të largëta se kurrë. Sistemi shëndetësor shqiptar, dhe veçanërisht QSUT-ja, është në varësi të plotë të financimeve nga qeveria. Tashmë ka ardhur koha e ndryshimeve dhe reformave rrënjësore në Shëndetësi. Është koha e ndarjes së përgjegjësive dhe bashkëfinancimeve me para të vërteta. Reforma duhet të fillojë me katarsisin e mjekëve dhe me bashkëfinancimin e qeverisë. Mjekët kërkojnë që paratë të mos merren nën tavolinë dhe cepave të mureve, por të vendoset një kuotë e caktuar dhe të ligjërohet “ryshfeti”. A është gati Shëndetësia dhe shoqëria shqiptare të ligjërojnë ryshfetin. A do të dihet të zbatohet ky ligj i veçantë, apo mjekët i kanë thirrur mendjes dhe do të ndryshojnë? Nëse mjekët janë kaq dashamirës, nuk kuptoj pse nuk i pranojnë paratë që marrin në klinikat private dhe klientelën që thithin atje? Ku çdo pacient e drejtojnë në klinikën e dytë, por që në fakt është e parë, se është private dhe aty punojnë me shifra marramendëse për kurimin e pacientëve. Atëherë, pse nuk duhet të përballohet situata me sigurimet dhe taksat që mbahen nga shteti? Mijëra “përse?” vijnë në mendje, por ajo duhet të tejçohet nga unë tek përgjegjësit kryesorë. Te politikanët tanë dhe te vetë mjekët, të cilët duhet të bëjnë reformë dhe të kujtojnë se çdo të thotë fjala humanizëm, siç kanë mësuar në librat shkencorë në kohën e universitetit.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›