E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Opozita jonë e ka fuqinë te forca e arsyes

Kreu socialist në një intervistë për gazetën "Panorama", i jep përgjigje kritikave brenda Partisë Socialiste për mënyrën e bërjes opozitë. Rama mendon se bërja e një opozite të egër dhe të fortë nuk e korrigjon qeverinë, përkundrazi, është vota ajo që ndërron pushtetet. 

Aristir Lumezi

Kreu socialist kërkon rritjen e besimit të qytetarëve ndaj politikës, e cila vjen vetëm përmes maturisë dhe qetësisë. Ndërsa, në lidhje me formulën e gjetur për komisionin e Reformës Zgjedhore, Rama shprehet se ajo shmang farsat e së shkuarës dhe nuk lejon abuzivizmin që gjithnjë ka ardhur përmes votës bllokuese të partive të vogla. Duke analizuar ndryshimet kushtetuese, veçanërisht ato që kanë lidhje me zgjedhjen e presidentit, Rama shprehet se vendi shpëton nga krizat politike që mund të sillte kushtetuta e vjetër. Në funksion të fitores së zgjedhjeve të 2009, Rama i bën apel kreut të LSI-së Ilir Meta për t'i parë gjërat me realizëm duke besuar se "në rrugën e fitores sonë ai s'do jetë një inatçi i vogël e i humbur, po një aleat i respektuar e i fituar".
Zoti Rama! Ka rinisur odiseja e reformës zgjedhore këtë herë me komisionin e Kodit Zgjedhor. Duket se dy partitë e mëdha kanë rënë dakord ta thyejnë zakonin e komisioneve gjithëpartiake dhe i kanë dhënë jetë një komisioni të reduktuar vetëm me përfaqësues grupesh parlamentare. Madje, grupet parlamentare përfaqësohen në komision me përqindjet që ato kanë në Parlament dhe jo thjesht me nga një votë të barabartë. Kjo ka shkaktuar reagimin e ashpër të të vegjëlve të përjashtuar, po edhe të të vegjëlve të përfaqësuar. Ata kanë vijuar t'ju akuzojnë direkt, ose indirekt juve dhe kryeministrin si autorë të një pakti për të konsoliduar një diktaturë bipartizane...
Kjo e "diktaturës bipartizane" është një nga ato lajthitje të pashoqe që nuk gjykohen, po vetëm falen! Sepse të flasësh për diktaturë të të kundërtave do të thotë ose të mos e kesh fare haberin e asaj që thua, ose të jesh aq keq i kapur prej mllefit sa të janë këputur frenat e gjuhës. Të dyja janë raste papërgjegjshmërie që flasin vetë, madje bërtasin vetë, pra s'ke çfarë komenton. Ndërsa pakti në fjalë është mungesë fantazie e atyre që kanë humbur orientimin në kushtet kur politika po ndryshon falë frymës së re që përçon përditë opozita jonë. Duke e nxjerrë politikën nga arena ku kacafyten prej 17 vjetësh po ata njerëz, ne po nxjerrim cullak në sytë e njerëzve jo vetëm papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë qeverisëse të kundërshtarëve tanë politikë, por edhe këndvështrimin e ngushtë dhe motivet e paqëndrueshme të atyre që na gjuajnë me gurët e antiberishizmit primitiv nga bahçet e vogla të egoizmave e interesave personale.
Komisionet tradicionale të reformës zgjedhore kanë qenë për vite me radhë karnavalet e politikës së vjetër, një shfaqje pafund ku nuk e merrte vesh i pari të dytin, një lojë ekuilibrash të pamundur për të mbajtur gjallë një sistem politik në degjenerim të vazhdueshëm, një betejë mediatike nervash për t'i lënë fajin njëri-tjetrit për asgjënë që prodhohej me muaj të tërë deri në minutën e fundit. Dhe pastaj një pazar banal i minutës së fundit për t'u mbrojtur nga njëri-tjetri e për të shpëtuar fytyrën e bërë helaq përpara partnerëve ndërkombëtarë, të cilët e arrinin minutën e fundit krejt durimhumbur prej negociatash surreale mes palëve të izoluara prej njëra-tjetrës. Komisioni aktual i Kodit Zgjedhor, i kërkuar prej nesh pikërisht për t'i dhënë fund këtyre farsave të së shkuarës, është një mekanizëm i thjeshtëzuar ku ruhet logjika e konsensusit mes palëve përmes vetos së dy të mëdhave, po ku s'ka hapësirë abuzimi për këdo që demokracinë parlamentare e koncepton si mundësi të partive të vogla për të marrë peng Parlamentin pa pasur as numra, as argument tjetër përveç interesit të tyre krejt periferik.   
Le të kthehemi edhe njëherë tek ndryshimet kushtetuese, nga sistemi i ri zgjedhor tek zgjedhja e Presidentit të Republikës me 71 dhe jo më me 84 vota. Në Kuvendin e Shqipërisë këto ndryshime morën vota më shumë se çdo parashikim optimist, kurse në tribunat mediatike vazhdojnë ende deklarimet politike e shkrimet në gazeta kundër tyre. Pas gjithë këtyre sulmeve, edhe kundër jush personalisht e partisë suaj, a do të ndryshonit gjë në paketën e këtyre ndryshimeve nëse do të mund të riktheheshit mbrapsht në kohë?
Asgjë në përmbajtje! Ato ndryshime janë në të mirë të Shqipërisë sepse janë operacione të domosdoshme në sistemin tonë të kalbur politik. Ndërsa deklarimet politike e përsiatjet gazetareske janë e drejta absolute dhe përgjegjësia publike e atyre që i bëjnë, të cilët krejt natyrshëm kompensojnë në këtë rast mungesën e argumenteve me harrakatje verbale kundër meje apo Partisë Socialiste. Eshtë normale edhe pse ndjej keqardhje kur e shoh mikun tim Ilir Meta të tundë flamurin e interesave të popullit lidhur pas shkopit të interesave të tij krejt personale!
Unë jam i bindur se, duke i'u referuar pa arnime alla shqiptarçe një modeli që funksionon më së miri në një demokraci të madhe evropiane, ne bëmë zgjedhjen e duhur. Me sistemin e ri zgjedhor do të ndryshojë ndjeshëm sistemi ynë politik. Do të konkurrohet me programe e me ekipe dhe jo më me fletë dushku, muskuj, çakull, transformatorë e thasë mielli. Vota e zgjedhësit do të jetë një kontratë transparente mes tij e forcës politike, që ai zgjedh duke zgjedhur edhe një lider që garanton programin e udhëheq ekipin. Padyshim që zgjedhja do të bëhet shumë më e qartë mes dy alternativash e jo mes dyzet partish. Për shqiptarët e shqiptaret do të jetë gjithnjë e më e kuptueshme se s'kanë pse e bëjnë të padobishme votën e tyre duke e çuar dëm në adresë të forcave që s'kanë asnjë shans të fitojnë. Të cilat dalin më vete jo për parime apo ide, po për shantazh ndaj kujt del i pari me qëllim përfitimesh personale e klanore në kurriz të shtetit të të gjithëve. Panorama e mjerë e makinës së sotme qeverisëse ku timonin e mban Berisha, gomat i djeg Xhuveli, bagazhin e hodhi në erë Mediu dhe valixhja e ndihmës mjekësore i ka mbetur në dorë Ndokës, ndërkohë që Pollua shpërndan dëftesa të fotokopjuara, besoj se mjafton më shumë se çdo koment për të kuptuar çfarë pjell vota e hedhur kot! Ashtu sikundër besoj se koalicioni karikatural që na qeveris vlen edhe për çdo opozitar të sotëm që të mos kërkojë assesi që këtë bashkim "të madh" pa parime, pa program, pa ide, i cili polli këtë paloqeverisje të djathtë, ta bëjmë edhe majtas për të pjellë nesër një paloqeverisje të majtë.
Duke u kthyer në pyetjen tuaj lidhur me zgjedhjen e Presidentit më lejoni t'ju them se ashtu siç e kishim Kushtetutën, pra me 84 vota ose zgjedhje të reja, pastaj prapë zgjedhje nëse s'bëheshin 84 vota dhe, vetëm pas dy palë zgjedhjesh të reja, mund të shkohej tek 71 vota, nuk e ka as edhe një vend i vetëm në Evropë e mbase as në gjithë botën. Ndërsa kështu siç e bëmë, pra me tre raunde 84 vota e pastaj zbritet në 71 pa provokuar menjëherë krizë e zgjedhje të reja, e kanë plot vende në Evropë dhe janë të panumërta ato vende në botë që e zgjedhin kështu Presidentin. Kështu e zgjedh edhe Kosova e sapolindur. Pra, është e qartë se kemi bërë kalimin në një normalitet demokratik evropian e botëror dhe asnjë komplot kundër popullit shqiptar.
A mund të thuhet se përshkrimi që i bëni "panoramës së makinës së sotme qeverisëse" le të kuptohet se për ju bashkimi i partive të vogla majtas, nuk është i nevojshëm dhe në zgjedhje ju synoni të hyni të vetëm?
Do ishte një lexim i pasaktë i mendimit tim. Unë them nuk na duhet një bashkim thjesht numerik. Na duhet një bashkim i ri, i cili nuk përjashton apriori asnjë nga aleatët tanë të deridjeshëm. Po sigurisht as nuk varet dhe as nuk kushtëzohet prej tyre. Sepse problemi i Shqipërisë së sotme politike nuk është ndarja mes "gjelave" të Tiranës, po dasia e përçarjet që politika e vjetër e së shkuarës ka futur në çdo qytet e fshat, në emër të gjyshit komunist e gjyshit të persekutuar, në emër të flamujve partiakë e të besnikërisë ndaj udhëheqësve, në emër të interesave individuale të ushqyera në rrugë partiake në dëm të shtetit e në kurriz të interesave të përbashkëta të komunitetit. Shqiptarët e shqiptaret që shohin majtas për një Shqipëri më të mirë nuk kanë nevojë për një bashkim "gjelash", d.m.th pazar udhëheqësish "të majtë" me konsekuenca shpartalluese për shtetin e vendin nesër.
Ndryshimi i këtij sistemi të kalbur politik që ka vënë në gjunjë shtetin përpara "bashkimesh" të tilla, pazaresh djathtas a majtas, të cilat kanë qëllim vetëm pushtetin e disave dhe jo realizimin e qëllimeve të shoqërisë, është sot një interes kombëtar që unë s'kam ndërmend ta anashkaloj për asnjë arsye personale apo ngushtësisht partiake. Një fitore eventuale në rrugën e vjetër do të ishte një tjetër katërvjeçar i humbur për vendin, një tjetër rënie në batakun e politikës së vjetër për Partinë Socialiste, një tjetër dëshmi shkurajuese për çdo shqiptar e shqiptare që e do Shqipërinë. Kjo lloj fitoreje mua s'më intereson, siç nuk më intereson gjëkundi pushteti në vetvete, po ndryshimi historik që na duhet për ta bërë Shqipërinë vendin e ëndrrave të realizueshme, e interesave të mbrojtura, e konkurrencës së lirë, vendin e mundësive të barabarta për të gjithë dhe meritës individuale të gjithsecilit. Ne nuk do të bashkohemi me askënd në dëm të cilësisë së këtij ndryshimi historik.
Çfarë duhet të kuptojnë konkretisht aleatët tuaj potencialë lidhur me këtë "ndryshim historik", përmes atij që ju e quani "bashkimi i ri"?
Aleatët tanë potencialë janë të gjithë ata individë, qytetarë e qytetare në çdo qytet e fshat të Shqipërisë, si edhe të gjitha ato organizata e grupime shoqërore e politike që ndajnë me ne bindjen se ndryshimi që na duhet të gjithëve nuk është ndryshimi i pushtetit të disa politikanëve që quhen të djathtë me pushtetin e disa politikanë që quhen të majtë. Shqipërisë dhe të ardhmes së saj i duhet ndryshimi i procesit politik, i marrëdhënieve të politikës me njerëzit, i natyrës së partive politike në Shqipëri. Ky është ndryshimi themelor që duhet ta bëjmë të ndodhë për të lënë pas, njëherë e mirë, politikën e vjetër të disa forcave që quhen parti e veprojnë si çeta, që flasin në emër të të gjithëve e punojnë për interes të disave, që votohen për të shërbyer e gjallojnë për të rrëmbyer. Ky është ndryshimi përtej të majtës e të djathtës, përtej politikës që jeton në kutinë e televizorit tash 17 vjet, si të ishte një "Non Stop Big Brother Show" në mes të baltës ku një grusht personazhesh hyjnë e dalin, shahen e ndahen, pajtohen e betohen, duke vrarë e rivrarë si në një ëndërr të keqe shpresat e miliona njerëzve. 
Shqiptarët e shqiptaret po e kuptojnë përditë e më mirë se kjo ëndërr e keqe duhet të mbarojë, se fati nuk delegohet po merret në dorë, se asgjë nuk mund të ndryshojë nëse ata ndahen sipas oreksit të "gjelave" të kryeqytetit. Ata që duan të jetojnë, punojnë e rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri po e kuptojnë përditë e më mirë se zgjedhjet e ardhshme nuk janë një zgjedhje mes socialistëve e demokratëve të thjeshtë e të ndershëm, po një zgjedhje mes së shkuarës dhe së ardhmes. Në vitin 2009 njerëzit do të zgjedhin mes Shqipërisë së politikës së vjetër për interesat e një grushti njerëzish dhe Shqipërisë së një politike të re për interesin e të gjithë qytetarëve. Ja pse politika e re e Partisë Socialiste po gjen përditë aleatë të rinj, njerëz që s'duan të dorëzohen përpara vështirësive të panumërta, bujq e fermerë me tesera partish të ndryshme po të mbetur në mëshirën e të njëjtit fat; arsimtarë e pedagogë që jetojnë rrënimin e pandalshëm të shkollës shqiptare për shkak të një politike që në 17 vjet s'ka ditur të flasë me gjuhën e interesave kombëtare e të meritës individuale, po vetëm me atë të partive; mjekë e infermierë që jetojnë në një ishull tërësisht të pareformuar komunist në mes të detit të një kapitalizmi të egër, që në spitale sjell prej 17 vjetësh vetëm dallgët e pista të pazareve partiake; sipërmarrës të mëdhenj që janë kthyer me përdhunë në korruptorë të përditshëm xhandarësh të vegjël doganorë e tatimorë dhe që tash 17 vjet jetojnë me maninë e persekutimit nga pushteti e kryeministri i radhës, pa mundur t'i gëzohen publikisht suksesit të tyre për shkak qeverish që tradicionalisht suksesin kapitalist e kanë trajtuar si faj; sipërmarrës të mesëm e të vegjël që, siç më tha njëri syresh, i ka telendisur e çoroditur kaq shumë ky pushtet abuziv sa "gjejnë shtëpinë me të pyetur"; ish-ushtarakë, minatorë, peshkatarë, që tanimë i kanë grisur teserat e partive pas 17 vjet margjinalizimi nën qeveri të djathta e të majta, dhe e presin sfidën e vitit 2009 si një sfidë të tyren me këtë politikë të vjetër pa sy, pa veshë e pa zemër; të reja e të rinj të diplomuar, apo të papunë me vite të tëra që duan një Shqipëri të punës së ndershme e jo të politikës që s'di të bëjë asnjë punë. Ky është bashkimi i ri që arsyet nuk i ka tek aritmetika jonë elektorale, po tek rrënjët e problemeve të sotme të shqiptarëve e shqiptareve në të katër anët e Shqipërisë dhe tek nevoja e një ndryshimi historik në jetën tonë politike, ekonomike e shoqërore.
Unë uroj që edhe aleatët tanë të deridjeshëm ta shohin me syrin e Shqipërisë e të miliona njerëzve që kërkojnë zgjidhje për hallet e rrugë për ëndrrat e tyre dhe jo me syzet e partisë së tyre të vogël, këtë përpjekje për ndryshimin e politikës, si edhe vetë sfidën e madhe të vitit të ardhshëm. Shpresoj që ata ta kuptojnë se kjo për mua nuk është as çështja e tyre si persona dhe as çështja ime personale, po çështja e një sistemi politik që duhet transformuar duke bërë secili "sakrificën" e tij të papërfillshme, në funksion të interesave të mëdha kombëtare e qytetare. Të cilat për shkak të këtij sistemi të kalbur kanë mbetur prej vitesh pa mbrojtjen dhe garancitë e nevojshme.
Kjo është një ftesë edhe për Ilir Metën?
Bashkimi i ri është në thelb një fuqi që bashkon jo që ndan, që integron jo që përjashton, që i përfshin të gjithë bazuar mbi vlera e parime në interes të atyre që përfaqësojmë dhe jo që unifikon qëndrimet e disa udhëheqësve mbi interesa personale apo pazarllëqe tribale grupesh për pushtet. Bashkimi i ri është një hapësirë ku ka vend për të gjithë, përfshirë edhe aleatin tonë të deridjeshëm, Ilir Meta, të cilit asnjëherë nuk i kemi treguar derën edhe pse gjithnjë e më shpesh thekson se na sheh si kundërshtarë jo si aleatë. Asnjëherë nuk i kemi ngrënë hakun edhe pse gjithnjë e më açik e shpreh se hala që ka zënë syrin e tij sot është PS-ja, jo PD-ja. Asnjëherë nuk e kemi ulur në qoshe edhe pse për kryen e vendit gjithnjë e më rrallë arrin ta fshehë se është i gatshëm të sakrifikojë edhe interesat e gjithë vendit. Megjithatë unë ende s'dua ta konsideroj përfundimtare humbjen e qetësisë së tij për t'i parë gjërat me realizëm dhe dua ende të besoj se në rrugën e fitores sonë ai s'do jetë një inatçor i vogël e i humbur, po një aleat i respektuar e i fituar.
Eshtë gjithnjë e më i dukshëm dallimi mes modelit tuaj opozitar dhe modelit tradicional të të bërit politikë. Por nga ana tjetër nuk mungojnë zërat, që thonë se kjo opozitë nuk ka agresivitetin që duhet për të ndaluar Berishën, madje dhe brenda jush shprehet ky shqetësim. A ju shqetësojnë këto zëra?
S'do ngatërroja në këtë temë shqetësimet e natyrshme brenda një force të madhe njerëzish që kanë ideale e ide të përbashkëta për vendin, po s'mund të jenë kurrsesi, largqoftë, në unison edhe për çështje të qasjes në funksion të qëllimeve të përbashkëta. Debati i brendshëm në partinë tonë është një virtyt që s'e ka asnjë parti tjetër në Shqipëri dhe s'duhet ngatërruar me uturinë kaotike të korit politik e mediatik kundër modelit tonë të ri opozitar. Në PS nuk diskutohet modeli po rritja e efektivitet të tij në rrugën e nisur drejt daljes prej batakut televiziv të "Big Brother"-it të politikës së vjetër të dasive e të interesave personale, që ushqehen me këto dasi dhe ndërtimit në çdo qytet e fshat të urave të një politike të re të bashkimit mes njerëzve.
Për mua njerëzit e këtij vendi janë shqiptarë e shqiptare, që kanë ëndrra e halle të përbashkëta, përpara se të jenë socialistë e demokratë. Politika e këtyre halleve e ëndrrave nuk mund jetë yshtja e gjysmës së popullit kundër gjysmës tjetër, po fuqia për të komunikuar e për t'u sjellë me të gjithë si qytetarë e qytetare që meritojnë liri e të drejta të barabarta, në një shtet të të gjithëve. Prej 17 vjetësh politika e vjetër e ka mbushur atdheun e përbashkët me hendeqe. Nga qendrat e mëdha urbane deri në katundin më të humbur, ajo e ka ndarë çdo komunitet si me një thikë urrejtjeje që mprihet me gjuhën zmerile të politikanëve. E ndarë mes kujt akuzon e bërtet më shumë, Shqipëria reale është mësuar me pahir ta jetojë politikën si një çështje fanatizmi të verbër sportiv, të kuqtë këtej e blutë andej, ndërkohë që nuk luhet me top po me fatin e përbashkët, me të ardhmen e fëmijëve, me kujdesin për të moshuarit, me edukimin e punësimin e të rinjve, me fuqinë blerëse të çdo familjeje. Kjo klimë e mbarsur me intolerancën dhe cinizmin e një politike të vjetër që s'ka dashur të sfidojë prapambetjen, po vetëm të fitojë falë saj, i ka thyer e neveritur njerëzit dhe ka favorizuar ekskluzivitetin e klientelave partiake në punët e shtetit e të çdo komuniteti. Dalja nga modeli tradicional i egërsisë opozitare është sfidë e hapur dhe absolutisht e domosdoshme ndaj prapambetjes. Varfëria, papunësia, injoranca, dhuna e korrupsioni që përparojnë falë një shteti që ekziston vetëm në letër, e një qeverie që ekziston vetëm për të ushqyer tributë e ministrave dhe kryeministrit të saj, nuk mund të luftohen me sukses pa ndryshuar jo thjesht qeverinë, po vetë natyrën e politikës shqiptare. Pa mbyllur kapitullin 17-vjeçar të një konfliktualiteti banal që ka paralizuar nervin e angazhimit qytetar për çështjet publike dhe ka marrë peng zhvillimin e vendit, ku një pakicë gjithnjë e më e vogël pasurohet gjithnjë e më shumë dhe një shumicë gjithnjë e më e madhe varfërohet çdo ditë e më tepër, fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve do të jenë top në këmbët e politikanëve. 
Dihet botërisht se arsyeja themelore pse vendet e varfra janë të varfra është konfliktualiteti fiziologjik i elitave të tyre politike. Një opozitë që e bart dhe injekton këtë konfliktualitet në jetën e përditshme, është ana tjetër e medaljes së rëndë të një qeverisjeje pa vlera në qafën e popullit. Një opozitë që s'u jep njerëzve arsye për të besuar tek politika dhe tek fuqia e saj për të ndryshuar realitetin ku jetojnë, është një shëmbëlltyrë e prapambetjes, shërbëtore e pavetëdijshme e pushtetit. Opozita jonë e ka fuqinë tek forca e arsyes, jo tek arsyeja e forcës. Berisha nuk korrigjohet, ai mundet me votë! Një formë të së keqes s'e mund një tjetër formë e së keqes, ajo vetëm e zëvendëson. Kur e keqja mundet me të keq, vetëm të keqe ka. Kur një pushtet të keq e mund një opozitë e keqe, ka vetëm keqqeverisje. Me të keq mund të ndërrojnë ngjyrat politike dhe fytyrat e qeveritarëve, po nuk ndërron kurrsesi natyra e pushtetit.
Por mua, ashtu si qytetarëve, është pikërisht ndryshimi i politikës e i natyrës së pushtetit që më intereson dhe jo pushteti si qëllim në vetvete. Ja pse na duhet politika e re që nuk merr terren me mjetet e se keqes, po me forcën e saj të qetë, me urtësinë e të vërtetave të thjeshta, me vendosmërinë e palëkundur në kryerjen e misionit të vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›