E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, mungon ndihma ekonomike e dhjetorit

 BURREL - Mbi 600 para dhe tetraplegjikë në Bashkinë e Burrelit nuk e kanë përfituar trajtimin që u përket me ligj. Po ashtu, 720 familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike nga Bashkia e Burrelit kanë përfituar për muajin nëntor vetëm 35 % të vlerës së ndihmës që kanë përfituar muajt e mëparshëm. Burime të sigurta informacioni bënë të ditur se nuk është akorduar nga Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale fondi i duhur për trajtimin e të paaftëve që trajtoheshin çdo muaj në Bashkinë e Burrelit. çdo fillim muaji para dhe tetraplegjikët trokisnin në zyrat e bashkisë për të marrë atë që u jepte ligji, por këtë muaj kanë marrë përgjigje nga specialistët e kësaj bashkie se nuk ka fonde. Pa lekë do të qëndrojnë para vitit të ri dhe 720 familje në Burrel, që përfitojnë ndihmë ekonomike. Në muajin nëntor, sipas anëtarëve të Këshillit Bashkiak, ndihma është dhënë në masën 35%, për shkak të mungesës së fondeve. Nëse në muajt e tjerë fondi për këto familje ishte 2.5 milionë lekë, për muajin nëntor ky fond ishte 900 mijë lekë, ndërsa në dhjetor nuk ka asnjë shpresë për shpërndarjen e tij. Në të gjithë qarkun e Dibrës, 18 nga 35 njësitë vendore nuk kanë ndarë ndihmën ekonomike për mungesë fondesh, mes tyre dhe bashkitë kryesore.                 h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›