E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan kundër Greqisë: Ekziston vetëm një Maqedoni

SHKUP- Nga kryeqyteti maqedonas, Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kritikon ashpër qëndrimin e Athinës zyrtare për mos njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues. Kryeministri turk ka thënë dje se Maqedonia ka të drejtë të përdorë emrin e saj kushtetues me të cilin është shpallur si shtet i pavarur. “Të gjithë e dinë se ekziston vetëm një Maqedoni. Jetojmë në botën kur paqja dhe mirëkuptimit duhet të mbretërojnë”, ka thënë Erdogan, dje në ditën e parë të vizitës së tij në Maqedoni.

Erdogan ka dhënë mbështetje ambicieve të Maqedonisë në rrugën e integrimeve evropiane, por edhe në kontestin rreth emrin me Greqinë. “Qëndrimi grek është i padrejtë dhe i pakuptueshëm”, është shprehur ai.

Në kuadër të qëndrimit të tij në Maqedoni, Kryeministri turk sot do të realizojë vizitë edhe në Tetovë dhe në Ohër, ku do t'i vizitojë tempujt fetarë dhe monumentet kulturore historike në këto dy qytete. Gjatë qëndrimit në Shkup, Erdogan është takuar me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, presidentin Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, Liderin e Bashkimit Demokratik për Intregrim, Ali Ahmeti dhe liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Agjencia e lajmeve mia shkruan se Lideri i BDI-së, Ahmeti, gjatë takimit me kryeministrin turk ka kërkuar ndihmën e Turqisë, si një vend anëtar i NATO-s në drejtim të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, si dhe ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të përbashkëta që ka Maqedonia me Turqinë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›