Ulen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
Jonida Tashi
Ulen kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë vit, qeveria vendosi të ndryshojë masën e pagesave për kontributet. Marrja e këtij vendimi lehtëson disi xhepat e qytetarëve, sidomos të atyre të pasiguruar, për të përfituar pension, leje lindje si dhe shërbim shëndetësor. Kontributi që paguhet për sigurimet shoqërore në fondet e sigurimeve për sëmundje, barrë-lindje dhe pensione do të jetë: për punëdhënësit 13.8 për qind e shumës bruto të listë-pagesave, nga 17.5 për qind që ka qenë më parë. Kurse për personin e punësuar 9.5 për qind e pagesës së tij totale (bruto).
Kontributet
Kontributet e paguara nga personat e punësuar shpërndahen në tri degë që administrojnë fondet e sigurimeve shoqërore. Tashmë çdo i punësuar duhet të derdhë në këto tri degë pagesat e reja të sigurimeve, që përkatësisht janë: në degën e sigurimit të sëmundjeve 0.3 për qind të shumës së listë-pagesave; në degën e sigurimit të barrë-lindjes 1.4 për qind të shumës së listë-pagesave; në degën e sigurimit të pensioneve 21.6 për qind të shumës së listë-pagesave. Punëdhënësi, përveç kësaj, duhet të paguajë te dega e sigurimit të aksidenteve dhe e sëmundjeve profesionale 0.3 për qind të shumës së listë-pagesave, ndërsa te dega e sigurimit të papunësisë 0.9 për qind të shumës së listë-pagesave. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të diferencojë pagesën e kontributit për aksidente lidhur me rrezikshmërinë e jetës që paraqet puna në degët e ekonomisë.
Detyrimet
Reduktohen procedurat për regjistrimin e të punësuarve. Sipas ndryshimeve më të fundit, të bëra në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar: të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit; të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve sipas procedurave të përcaktuara me ligj; të bëjnë sigurimin nga dita e parë kur i punësuari fillon punë; të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me ligj. Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit ndërmjet punëdhënësit, strukturave tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit të mëparshëm, numër 79, për detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, këta të fundit duhet të kryenin një procedurë të gjatë ligjore për regjistrimin e të punësuarve.
Regjistrimi
Personat juridikë, publikë, privatë dhe personat fizikë që fillojnë veprimtari ekonomike për herë të parë, janë të detyruar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në strukturat tatimore, sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, personat që nisin veprimtari ekonomike rishtas duhet të regjistroheshin në agjencitë e sigurimeve shoqërore. Regjistrimi i subjekteve, në bazë të të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe mbyllja e veprimtarisë bëhen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Regjistrimi është akt administrativ, që nuk tregon detyrim për mbulimin me sigurime shoqërore.
Kontributet e reja sipas degëve të sigurimit
Kontributet e paguara nga personat e punësuar shpërndahen në tri degë, që administrojnë fondet e sigurimeve shoqërore.
Dega e sigurimit të sëmundjeve, 0.3 për qind e shumës së listë-pagesave;
Dega e sigurimit të barrë-lindjes, 1.4 për qind e shumës së listë-pagesave;
Dega e sigurimit të pensioneve, 21.6 për qind të shumës së listë-pagesave.
Punëdhënësi, përveç kësaj, paguan: te dega e sigurimit të aksidenteve dhe e sëmundjeve profesionale 0.3 për qind të shumës së listë-pagesave; te dega e sigurimit të papunësisë, 0.9 për qind të shumës së listë-pagesave.
28 Dhjetor 2008