E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, gati projektin për 200 mijë vende të reja pune



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës synon hapjen e 200 mijë vendeve të reja pune për punësimin e qytetarëve që jetojnë në kushte të vështira. Kjo nismë e Bashkisë synon uljen e papunësisë në kryeqytet dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët. Vendet e punës mund të krijohen edhe nga projektet e Bashkisë në zbatimin e projekteve dhe zhvillimin e punimeve në terren. Bashkia e Tiranës parashikon që 132 mijë vende pune të hapen në sektorin privat dhe 68 mijë në sektorin publik. Gjithçka është bërë e ditur nga kryebashkiaku pak kohë më parë në prezantimin e Planit Rregullues të Tiranës. Kjo do të jetë një nismë për të ulur nivelin e papunësisë, megjithëse numri i të papunëve është tepër i lartë.
Papunësia
Numri i të papunëve në kryeqytet shkon në shifrat e 20 mijë personave. Të gjithë këta persona jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe nuk kanë asnjë pjesëtar të familjes në punë ose mbahen vetëm me një rrogë mujore minimale. Të dhënat publikohen nga institucionet zyrtare, të cilat bëjnë të ditur se numri i punëkërkuesve të papunë janë kryesisht të moshave mbi 45 vjeç. Për këtë kategori, papunësia mbetet në nivele të larta dhe personat janë kryesisht përfituesit nga skemat e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë. Mundësia për të punësuar nga kjo grupmoshë është shumë e vogël. Shkaqet vazhdojnë të jenë profesionet që ka ky grup, të cilat, ndryshe nga profesionet e reja, nuk u përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Sipas statistikave, 2 për qind e punëkërkueseve të papunë të regjistruar janë me arsim të lartë ku dominojnë arsimtarët, ekonomistët, agronomët, ushtarakët, inxhinierët gjeologë dhe të minierave. 11 për qind janë teknikë dhe specialistë të mesëm: ndërtimi, autoservisi, konfeksionesh, ekonomistë të mesëm etj., 49% janë punëtorë: të bujqësisë, industrisë përpunuese, ndërtimit. Ndërsa 38 për qind janë pa profesion, kontigjente të ndihmës ekonomike dhe pjesëtarë të familjeve më në nevojë.
Mënyra
Bashkia e Tiranës ofron disa mënyra punësimi për banorët në njësitë bashkiake. Kështu, strategjia e Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, vendosën që ndihma ekonomike të kushtëzohet me punë në komunitet. Në këtë mënyrë, shpenzimet për shpërndarjen e ndihmës ekonomike nuk do të jepen për aq kohë sa qytetarët do të shpërblehen në bazë të punës që do të kryejnë. Kompensimi i dhënies së parave me punën në komunitet mundëson dhe punësimin e atyre qytetarëve që nuk kanë mundësi të gjejnë punë. Projektet për kushtëzimin e kësaj ndihme me punë apo shërbime në komunitet mund të jenë me kohë të plotë pune ose me kohë të pjesshme pune, për disa ditë në muaj. Bashkitë apo komunat përcaktojnë fushat dhe përparësitë ku do të zbatohen projektet për punë komunitare apo për shërbime shoqërore. Masa e pagesës së personave, pjesëmarrës në projektet e punëve e të shërbimeve në komunitet, me kohë të plotë pune, nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale në shkallë vendi. Ndërsa fondet e nevojshme për pagesën në këto projekte sigurohen nga fondi i ndihmës ekonomike që llogaritet sipas strukturës së familjeve që marrin pjesë në këto projekte. Por ata nuk do të përfitojnë më shumë se 7.000 lekë në muaj.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›