Varma: Nuk po bëjmë ndarjen e Kosovës

Në një intervistë për BBC, zëdhënësi i Ban Ki Moon, Brenden Varma u shpreh se asnjëherë nuk është bërë thirrje për ndarjen e Kosovës dhe kjo nuk po praktikohet edhe tani.
Duke folur për raportin dhe kundërshtimet e Prishtinës zyrtare per të, zëdhënësi sqaroi se sekretari i Përgjithshëm ishte i vetëdijshëm për reagimet, porse fakti që autoritetet kosovare kanë shprehur gadishmërinë për të bashkëpunuar me EULEX është inkurajues.
"Gjithsesi për raporton do të vendoset pasi të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit ta kenë lexuar dhe të japin pikëpamjet e tyre. Nuk mund të mbajmë asnjë qëndrim për momentin për të", sqaroi Varma.
Gjatë intervistës së tij, zëdhënësi shprehu bindjen e plotë se rikonfiguruimi i UNMIK do të vazhdojë.
"Misioni i OKB-së në Kosovë duhet të evoluojë me ndryshimin e ngjarjeve në terren dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ne do të vëmë re gjithashtu edhe një reduktim të tij, që përfaqësuesi ynë e ka përmendur tashmë si pjesë e procesit të rikonfigurimit", theksoi Varma.
Zëdhënësi siguroi se Ban Ki Moon ka marrë parasysh pa paragjykime qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës lidhur me statusin.