Varret, të përndjekurit: Të martën nisin protestat
Autori i Lajmit: Silvana BalliuShoqatat e të ish-përndjekurve politikë kanë paralajmëruar protestën e parë të martën, si kërkesë të fuqishme drejtuar Qeverisë për gjetjen e të gjitha eshtrave të të ekzekutuarve nga regjimi komunist.
Të gjitha shoqatat, që përfaqësojnë ish-të dënuarit politikë janë mbledhur, ndoshta si asnjëherë tjetër bashkë për të dënuar krimet e komunizmit, pas lajmit të gjetjes së 19 eshtrave në malin e Dajtit, të cilët dyshohen se janë ekzekutuar nga regjimi i kaluar.
Qëllimi
“Ne ecim mbi eshtra. Janë me mijëra familje që nuk kanë një vend për të vënë një lule në një ditë të caktuar”, deklaron Petrit Kallçishta, një përfaqësues i një prej shoqatave të ish-të përndjekurve. Po çfarë kërkojnë të arrijnë përmes kësaj proteste. Përgjigja është më e thjeshtë seç mund të pritej. “Shteti të na ndihmojë në gjetjen e eshtrave, të mos i kërkojmë në mënyrë individuale, por të krijohet një komision, të caktohen hartat e të bëhen kërkimet”, kështu shprehet Besim Ndregjoni, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë. "Gjetja e varrit ka rihapur plagët e krimeve të komunizmit", thotë Ndregjoni. Ish-të përndjekurit kërkuan dje përveç të tjerave edhe largimin nga Gjykata Kushtetuese të Fehmi Avdiut, pasi sipas tyre, ai dënoi poetin Havzi Nelaj. Sipas Besim Ndregjonit, akoma nuk dihen varret e 4000 të pushkatuarve të tjerë me gjyq dhe pa gjyq në shkallë vendi. Sipas tij, gjetja e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura është detyrimi moral që shteti ka ndaj familjeve të tyre, por që ende nuk e ka shlyer.
Katër kërkesat e ish-të përndjekurve
Besim Ndregjoni ka radhitur katër kërkesa si më kryesoret, që kërkojnë ish-të përndjekurit. Por, ai duket se ka indinjatë për mënyrën se si po lakohet figura e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. “Diktatorit Enver Hoxha ti hiqen dekoratat, në kuptimin që të mos na shitet në media e në politikë, si një udhëheqës i madh. Ai ishte një diktator e si i tillë duhet të mbetet të mos harrohen krimet e kryera në sajë të një urdhri të dhënë prej tij”, thotë Ndregjoni. Ai ka shtuar edhe tri kërkesat e tjera, ku njëra prej tyre po kërkohet me forcë ditët e fundit nga ish-të dënuarit politikë, pikërisht data 29 nëntor. Ndregjoni propozon në emër të ish të përndjekurve politikë, shpalljen e 29 nëntorit si Dita Përkujtimore e Masakrës Komuniste në Shqipëri. Ndërkohë që për sa i riemërtimit të kësaj date, e cila u kërkua disa ditë më parë nga një grup deputetësh demokratë është përsëritur edhe nga Kurt Kola, kryetar i një prej shoqatave të ish të Përndjekurve Politikë. Ndërkohë, Ndregjoni propozon për gazetën Ballkan se një tjetër nismë që i takon pushtetit ta vërë në zbatim është ngritja e një memoriali në qendër të Tiranës, ku citohet “Të mos harrohen masakrat e komunizmit”. Ndregjoni në emër të ish-të dënuarve politikë ka bërë dhe një kriktikë për medien, ku sipas tij, kjo e fundit po i bën shumë elozhe periudhës së komunizmit.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010