E Diel, 1 Nëntor 2026

Muharrem Stojku: “OSSH do të paguajë borxhin kur të zgjidhë problemet me qeverinë”

Autori i Lajmit: A.Sh

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i privatizuar nga çekët, i ka borxh kompanisë së prodhimit të energjisë KESH, një shumë që kap shifrën e afro 2 miliardë lekëve. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Ballkan”, drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, ka deklaruar se pronarët e rinj çekë kanë fatura të papaguara nga blerja e energjisë. “OSSH asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk do të paguajë borxhin që ka ndaj KESH, por ky borxh do të paguhet pasi OSSH të zgjidhë çështjet që ka pezull me qeverinë”,- ka theksuar Stojku. Kjo situatë e ka vënë në vështirësi bilancin financiar të kompanisë KESH, e cila mban përgjegjësi për furnizimin e vendit me energji elektrike. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e borxhit të vjetër prej 13 miliardë lekësh që institucionet shtetërore nuk i paguajnë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Në këto kushte, pronarët çekë kanë gjetur mënyrën për të penalizuar kompaninë shtetërore KESH duke mos paguar faturat. Drejtori i KESH shprehet se nga fillimi i vitit do të hartohet një kontratë e re me kompaninë OSSH për t`i dhënë zgjidhje kësaj situate. Shitja e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë mund të konsiderohet si privatizimi më i vështirë i qeverisë shqiptare. Ky proces duket se ka lënë pa zgjidhur borxhet e vjetra, duke nisur një konflikt të ri mes KESH-it dhe OSSH-së. Nisur nga këto detyrime si dhe nga humbjet teknike në rrjet, çekët kërkuan rritjen më të lartë historike të energjisë, me 44.2 %.

Ky lajm është publikuar: 13/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›