E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varrezat e makinave, Topi dekreton ligjin

TIRANE-Presidenti Bamir Topi dekretoi so ligjin  “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave, për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”.

"Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoj Shpalljen e ligjit nr. 10 464, datë 29.9.2011 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.3, datë 7.9.2011, të Këshillit të Ministrave “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”- thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës.
Dekreti mban numrin 7124.

Më 29 shtator Kuvendi miratoi, me 71 vota pro dhe 60 kundër, aktin normativ të qeverisë “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”.  LIgji u miratua pas dy orë debatesh mes maxhorancës e opozitës.

Opozita kundërshtoi aktin normativ duke e quajtur në kundërshtim me Kushtetutën pasi nuk i përgjigjet tre elementeve nevojës, urgjencës dhe marrjen e masave të domosdoshme. Në seancën parlamentare të 29 shtatorit socialisti Blendi Klosi tha se me akti normativ po përgatitet një aferë korruptive, po kërkohet të ngrihet një industri e cila do bazohet mbi korrupsionin qeveritar. Nga ana tjetër, deputeti i maxhorancës Tritan Shehu pretendoi se akti normativ është mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe ftoi opozitën ta votojnë.

Po sot kreu i Shtetit dekretoi edhe shpalljen e ligjit nr. 10 465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë".
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›