Varrimi i Presidentit polak, do të vijë Obama e Medvedev
Polonia ka premtuar dje për të bërë publike detajet e regjistrimeve të zërit të pilotit të avionit të përplasur të shtunën, në bordin e të cilit ndodheshin edhe Presidenti i vendit dhe shumë zyrtarë të lartë. Të gjithë zyrtarët e lartë dhe pasagjerët e tjerë që udhëtonin me avionin rus, “Tupolev”, kanë humbur jetën. Sipas kontrollorit të trafikut në qytetin pranë të cilit u përplas avioni, ai e kishte paralajmëruar pilotin që të mos ulej në aeroportin e qytetit, për shkak të mjegullës dhe kushteve të papërshtatshme atmosferike, por duket se ai nuk e ka marrë parasysh paralajmërimin dhe e çoi veten dhe të tjerët drejt një vdekjeje të sigurt. Një pjesë e medias polake ka spekuluar me faktin se Presidenti i vrarë ishte i vendosur që të merrte pjesë në ceremoninë që përkujtonte 70-vjetorin e vrasjes së 20 mijë polakëve nga Stalini dhe kjo vendosmëri ka bërë që ai ndoshta të ndikojë te piloti për t’u ulur, në kundërshtim me këshillën e rusëve. Megjithatë, të tjera burime thonë se piloti ka shumë mundësi që të mos ketë qenë nën presionin e Presidentit, por të ketë pasur më shumë besim seç duhej te vetja. Hetuesit rusë janë duke u marrë edhe me dekodimin e kutisë së zezë që ndodhet në kabinën e pilotit, para se ajo të kthehet në Poloni. Ndërkohë, Polonia është në zi pas këtyre humbjeve të shumta. Për sa u përket viktimave, nga 96 prej tyre, 70 janë identifikuar, ndërkohë që të tjerat ende nuk janë identifikuar. Në varrimin e Presidentit polak, që do të zhvillohet në fundjavë, do të marrin pjesë krerët më të rëndësishëm të shteteve, ndër të cilët edhe Obama, Merkel, Medvedev e Sarkozi.
#