Klosi: Rezultati për kryesinë do dalë sot
Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka konfirmuar dje për mediat se rezultati i votimit për tre forumet për të cilat do të kërkohet vota e Asamblesë do të dalin gjatë ditës së sotme. I pyetur nëse do kemi sot një rezultat të këtyre votimeve Klosi u shpreh i sigurt se brenda ditës do të ketë një rezultat. Duke folur për listat, ai ka theksuar se ato nuk dihen, pasi është ekskluzivitet i kryetarit të partisë që ta propozojë, ndërsa ka përmendur edhe të drejtën e asamblesë për të bërë propozime shtesë. “Nesër (sot) Asambleja e zgjedhur nga kongresi i fundit do të procedojë me zgjedhjen e forumit të fundit që ka ngelur në gjithë vazhdën e proceseve zgjedhore në parti, që është zgjedhja e kryesisë dhe sekretariati. Nesër do të votohet dhe për kryetarin e Asamblesë për të përmbyllur gjithë procesin e zgjedhjeve në PS. Përsa i përket procedurave ato janë statutore dhe statuti e përcakton se Asambleja vendos me votim të fshehtë për të dy forumet, në bazë të propozimeve që vijnë nga kryetari i partisë. Pastaj nëse do të ketë shtesa apo propozime që mund të vijnë nga vetë Asambleja dhe ato bëhen pjesë e votimit. Përsa i përket procedurave ato janë të thjeshta tashmë, votim i fshehtë, i hapur dhe transparent dhe i mirëmonitoruar nga të gjithë konkurrentët”, - tha Klosi.