E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varrmihës i vetes

Atmosfera që mbretëron brenda romanit “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” të P. Palushit zhvillohet midis kufijve të jetës dhe të vdekjes, si një dysi e mbitheksuar e cila bashkëjeton në mënyrë të vazhdueshme. Dhe ndonëse në esencë kemi të bëjmë me një koncept antitetik, në fakt, ai gjithmonë vepron si një koncept sintetik. Kjo ndodh për shkak se vdekja, nga një dukuri reale që e ndiejmë dhe e përjetojmë, kalon dhe bëhet dukuri fiktive dhe abstrakte.

Me romanin më të ri “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, botimet Ombra GVG, autori Petrit Palushi shpalos një lëndë tepër të veçantë. Në të vërtetë rrëfimi nis duke marrë si shkas një besëtytni të lashtë, e cila ngjallet si preventivë në vetëdijen e personazhit kryesor dhe pastaj bëhet mbizotëruese gjatë rrjedhës së mëtejme.

Karakteri i rrëfimit

Në këtë mënyrë e ndërthur vijën e ngjarjeve që i trajton, duke i renditur ato sipas logjikës së gjërave të cilat përputhen me ligjësitë objektive dhe subjektive. Kjo do të thotë se ato janë referenca të domosdoshme për ndërtimin e romanit, janë pjesë të cilat e përbëjnë tërësinë e përgjithshme të tij. Nga ky kënd duket që shtrirja e rrëfimit vazhdimisht kalon nëpër disa faza transformuese; në njërën anë përfshihen elementet reale të ekzistencës dhe në anën tjetër elementet fiktive, të cilat kompozohen brenda strukturës së veprës. Dhe kjo na bën të kuptojmë se vetë natyra e temës që trajtohet aty është e ndërlikuar, sa është reale, po aq është edhe mitike. Prandaj ballafaqimi me të na shpie drejt ndryshimit të saj, drejt dinamikës e cila fiton intensitet të pandërprerë, kuptohet varësisht nga situatat që shfaqen si rrjedhojë e natyrshme, nga veprimet e pritura ose të papritura që i bëjnë personazhet e romanit. Meqë aty gjithkund ndeshen jeta me vdekjen, atëherë vetvetiu edhe personazhet dalin nga këto sfera dhe komunikojnë me një përqendrim të jashtëzakonshëm. Me anë të tyre autori e stërmbush plotninë e ngjarjeve, gjithnjë duke rrëfyer nga pozita retrospektive, ngaqë kemi të bëjmë me një akt të kryer, të cilin e paralajmëron qysh në fillim. “Qe një ditë e martë kur mbeti pa mend në krye. Kish lëvizë dheu i varrit të birit të vet”, thotë rrëfimtari në krye të romanit. Dhe pak më poshtë vazhdon “… gjeti fuqi dhe e kthjelli mendjen se duhej të hapte një varr për veten e vet”. Kjo është pikënisja thelbësore e autorit, sigurisht në kuptimin e mbështetjes themelore mbi të cilën e ndërton tekstin artistik të romanit. Natyrisht kjo i shërben për ta zvargur rrëfimin e tij, nëpërmjet të cilit shpalos tërë ankthin e brendshëm dhe të jashtëm, ndjenjën reale dhe atë fiktive etj. Thjesht, mund të themi se nga ky kontekst rrëfimi ec nëpër sferat reale të jetës, por edhe nëpër ato halucinante, sepse prindi ballafaqohet me vdekjen e fëmijës së tij, nga e cila nuk shmanget në asnjë çast, por mishërohet gjithnjë e më thellë, futet pothuajse brenda palcës së saj. Vetë fakti se babai detyrohet për shkaqe besëtytnore që të hapë një varr për vete, me qëllim që ta parandalojë vdekjen e fëmijëve të tjerë, flet qartë se këtu ndeshemi me një situatë tejet dramatike dhe morbide. Dhe gjatë tërë rrjedhës rrëfimore përpjekjet e tij bëhen shumë të theksuara, ai flet me njerëzit e gjallë, por herë pas herë flet edhe me të birin që e ka varrosur. Kështu, shikuar në përgjithësi, rrëfimi merr karakter real dhe karakter halucinant, gjithnjë duke krijuar një dinamikë të çuditshme. E gjithë kjo na shpie drejt një rrumbullakimi të logjikshëm, i cili mbi të gjitha është kontekst psikologjik, i tendosur me ankth e frikë të skajshme. Me një fjalë, përmasat rrëfimore na futin në të gjitha sferat e mundshme kuptimore të tekstit, për t’i zbërthyer çështjet e shumta që kanë të bëjnë me qenien njerëzore. Në të vërtetë ky është karakteri specifik i rrëfimit që na e sjell Petrit Palushi me anë të romanit të tij.

Vdekja reale dhe fiktive

Sido që ta shohim, do të bindemi fare lehtë se atmosfera që mbretëron brenda romanit “Njeriu që kujdesen për varrin e vet” të P. Palushit zhvillohet midis kufijve të jetës dhe të vdekjes, si një dysi e mbitheksuar e cila bashkëjeton në mënyrë të vazhdueshme. Dhe ndonëse në esencë kemi të bëjmë me një koncept antitetik, në fakt ai gjithmonë vepron si një koncept sintetik. Kjo ndodh për shkak se vdekja nga një dukuri reale që e ndiejmë dhe e përjetojmë, kalon dhe bëhet dukuri fiktive dhe abstrakte. Personazhi fatkeq, Egzon Drini, nga miti i lumturisë (meqë ka lindur në një natë të njëllojtë me atë të Shëngjergjit), bëhet objekt i mitit të vdekjes (meqë mbytja e tij në ujërat e lumit bëhet objekt thashethemesh). Realisht, nisma morbide e të atit të tij bëhet në emër të jetës, me synimin për t’i shpëtuar më të dashurit. Me shumë gjakftohtësi e hap varrin për vete m’u pranë atij të të birit, duke besuar se ashtu do të mund ta zhvendosë vdekjen në drejtim tjetër, sepse ka frikë se ajo mund të vijë e t’ia marrë ndonjërin nga fëmijët e tjerë të gjallë. Në të vërtetë ky është miti i vdekjes e cila gjithnjë e ka shoqëruar njeriun, duke mos mundur të pajtohet me fuqinë absolute që ka pasur përherë. Pikërisht kjo e ngjall besëtytninë që lidhet me vdekjen, e cila në këtë rast shfaqet në mënyrë kërcënuese. Këtu ballafaqohemi me fiksionin e saj, ose me vdekjen e paqenë, me hijen e saj, me jehonën famëkeqe, e cila është dhe s’është njëkohësisht, mund të ndodhë dhe mund të mos ndodhë. Prandaj, për t’ia ndërruar rrjedhën e padëshiruar, personazhi futet në një sferë parake për ta bartur atë gjithë jetën. Dhe si rezultat i kësaj veprimi i mëtejshëm bëhet tejet tronditës, një modus vivendi që e bart flamurin e vdekjes. Ai i beson thellësisht vdekjes reale, e cila ia ka marrë të birin, por njëherësh i beson verbërisht edhe vdekjes fiktive, vdekjes besëtytnore, e cila mund të rishfaqet dhe t’i rrëmbejë ndonjërin nga fëmijët e tjerë. Çlirimi nga ky makth i rëndë është i pamundur dhe fatal njëkohësisht. Si i tillë, jo vetëm që nuk bën përpjekje për t’u liruar prej tij, por futet gjithnjë e më thellë. Ai pothuajse ka zbritur në botën e nëntokës, më shumë bisedon me të vdekurit se me të gjallët. Madje, gjatë bisedave që bën sikur i fut edhe të tjerët në botën e vdekjes fiktive e cila është shumë më dramatike se vdekja reale. Pikërisht këtë peshë e bart gjer në fund të romanit duke na e bërë me dije se ajo është rrëqethëse dhe e fundbotshme.

Miti i shpëtimit

Në aspektin e ndërtimit kontekstual kryepersonazhi i këtij romani na ballafaqon me mitin e shpëtimit, porse jo me atë të shpëtimit individual si një instinkt i pashmangshëm i njeriut, por me atë të shpëtimit familjar si një ndjenjë tepër e hollë dhe altruiste. Duke e ndjellë vdekjen personale, duke vajtur drejt derës së saj, ai beson se kështu e largon vdekjen familjare, i shpëton fëmijët. Në njëfarë mënyrë ky mit tërthorazi na e kujton atë të flijimit me të vetmin qëllim që të mbijetojnë të tjerët. Në këtë rast babai vullnetarisht dëshiron të flijohet vetëm që të shpëtojnë fëmijët e tij, ai niset drejt vdekjes pa fije frike që të mos vijë ajo te fëmijët, ai e hap varrin për veten me qëllim që të mos lejojë që atë ta hapin të tjerët për më të dashurit e tij. Kjo lojë morbide është shtysë psikologjike dhe katarzë e çuditshme e cila rrënjët i ka në vetëdijen dhe ndërgjegjen e tij. Ngushëllimet që i vijnë nga të tjerët për vdekjen e djalit Egzonit nuk kanë aq fuqi ndikuese tek ai, pothuajse nuk ia lehtësojnë fare dhembjen dhe pikëllimin, ndërsa ngushëllimin e vërtetë e gjen kur shpreson që vdekja ta marrë atë dhe jo fëmijët e tjerë të gjallë. Në fakt ky do të ishte shpërblimi më fatlum për të, ngaqë atëherë do të kurorëzohej ndjenja e vërtetë altruiste ndaj fëmijës. Kështu e zbulojmë ndjeshmërinë e natyrshme të prindit, i cili është në gjendje të bëjë çmos vetëm që fëmijët e tij ta shijojnë jetën e tyre që e kanë përpara.

Referencat mikrostrukturore

Romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” të P. Palushit e dallon mikrostruktura e ngjeshur brenda rrëfimit, e cila përshkohet nga shumë elemente me referencë gjuhësore dhe filozofike. Ato janë dëshmi dhe sprovë krijuese e autorit, sepse dëshiron të ndërtojë individualitetin e vet si romancier me shije të stërholluar. Kjo ka të bëjë me përpjekjet e tij për ta transformuar gjuhën me të cilën e rrëfen lëndën, duke i dhënë asaj nuanca të shumta, ngjyrim të nevojshëm ekzistencial, tipizim hapësinor e gjeografik, që si e si ajo të duket si një fryt i natyrshëm dhe burimor. Jo vetëm në aspektin fjalësor e frazeologjik, por edhe në atë filozofik e artistik, autori ia del që të bëjë një shpjegim mistik të vdekjes, kuptohet sipas referencave të mendësisë së njerëzve, por njëherësh edhe shpjegim çmistifikues sipas asaj që mund të nënkuptohet nga konteksti i romanit. Në këtë mënyrë P. Palushi vazhdon të ecë në rrafshin e letërsisë duke ndërtuar një raport të ri me lexuesit. Romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” është edhe një shembull tipik i këtillë, ashtu sikurse edhe dy romanet e tij paraprake (“Përroi i Andrrës”, “Tri motra në një qytet”). Sigurisht me vetë mikrostrukturën e tekstit ai dëshmon se është jashtëzakonisht i përkushtuar, di të përzgjedhë dhe të ndërfutë elemente të nevojshme, t’i latojë ato me kujdes të veçantë dhe t’i përsosë deri në hollësi. Kështu vetvetiu rrëfimi krijon një forcë tërheqëse e cila lexuesin e mban pranë vetes dhe e bën që ta lexojë me një frymë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›