Fjala në Fjalën* e Mihal Krimçes
Fabulisti i njohur Mihal Krimçe e ka bërë të njohur me kohë interesimin e tij për fjalën. E them këtë ngase pothuaj të gjitha vëllimet e tij me fabula kanë referencë kryesore fjalën; fjalën si musht, fjalën si verë, fjalën si prag, dhe së fundi fjalën si aromë. Përveç kësaj, Mihali deri tani e ka prezantuar veten tek lexuesi si një krijues këmbëngulës në këtë fushë - zhanër letrar ky që mbase i krijon dhe mundësinë për të rrafshuar kufijtë e brezave tek masa e lexuesve. Si të tillë, fabulën e tij mund ta lexojë edhe një fëmijë i moshës së vogël shkollore, mund ta lexojë edhe një i rritur pavarësisht nga mosha që ka; mjafton vetëm të ketë interes për të lexuar.
ǒështë e vërteta, në letërsinë shqipe fabula nuk është një zhanër dhe aq i kultivuar. Në letërsinë e Rilindjes me fabulën janë marrë Naim Frashri dhe Andon Zako Çajupi, edhe përmes shkrimeve autentike, edhe përmes përkthimeve të autorëve të njohur si, Ezopi, La Fonteni etj. Në fakt, në këtë periudhë të letërsisë sonë, nga pak është marrë me fabulën edhe Mjeda, por s’di të ketë zgjuar ndonjë kureshtje të madhe në këtë fushë. Pas çlirimit të vendit dhe instalimit të sistemit të ri qeverisës, në Shqipëri emra të njohur të fabulës u bënë Dionis Bubani, Dritëro Agolli dhe sidomos, i mirënjohuri Ferit Lamaj.
Në çdo kohë ka pasur dhe mund të ketë autorë sporadikë që e shkruajnë dhe e botojnë fabulën, por gjithsesi duke mbetur në një nivel të pandjeshëm për opinionin letrar. Mihal Krimçe nuk mund të mos merret në konsideratë me kontributin e tij, sidomos të kohëve të fundit, në fushën e fabulistikës.
Kjo, prej se nga libri në libër ai po e pasuron stilin e tij krijues me teknika, me tematika dhe me këndvështrime specifike, ku gjejnë pasqyrim në kompleks fenomenet e kohës.
Veçori e stilit të fabulës së tij është lirshmëria në formë dhe ironia në përmbajtje. Ndërsa objekt i ironisë së këtij autori bëhet çdo gjë e shëmtuar, apo çdo mani e tepruar, siç është rasti i posedimit të makinave, tek “Iriqi me makinë”, ekstravaganca e tepruar femërore, tek “Dhia dhe e bija”; rreziku i zhdukjes së florës dhe faunës, tek “Bufi sharron pishat”; korrupsioni në administratë, tek “Dhelpra doganiere”; janë pothuaj disa fabula që trajtojnë defektet e mëdha në profesionalizmin e punonjësve të medias; apo me rastin e falsitetit në arsimin e lartë në Shqipëri, tek “Lart në shkrep”etj.
Për të gjitha këto lexuesi vë buzën në gaz. Përqeshja e këtyre fenomeneve tek ai, nuk lë vend as për urrejtje, as për hatërmbetje; ajo është një përqeshje dashamirëse, e cila vetëm të bën të thuash me vete: “Po, po, kështu është.” Mandej, siç ndodh në fabula rëndom, bartëse të fenomenit bëhen kafshët, duke krijuar kështu për lexuesin një botë tjetër paralele me atë të cilën ai e njeh prej marrëdhënieve të përditshme në kontekstin real. Kjo gjë, në fakt, për lexuesin përbën edhe një komoditet të ri që nuk e gjen tek asnjë nga zhanret letrare. Kështu vetvetiu fabula në vetvete si zhanër letrar specifik, posedon privilegjin për të qenë gjithëkomunikuese me njerëzit, pavarësisht të qenit lexues i apasionuar, apo lexues i thjeshtë, lexues i moshës madhore, apo i moshës fëminore.
Ndërsa Mihal Krimçe si autor posedon çelësin e suksesit tek lexuesi, falë artit të tij krijues, falë zhanrit për të cilin folëm këtu dhe padyshim falë tematikës së larmishme që bëhet objekt trajtimi në librat e tij. “Aroma e fjalës” është vetëm njëri ndër këta libra, por për Mihal Krimçen puna me fjalën ende s’ka mbaruar. Ai do të shkruaj prapë, dhe prapë do shkruaj për Fjalën; ndoshta për fjalën si mahnitje; për fjalën si bukuri estetike, apo për fjalën si zanafillë e universit.
*Fjala në latinisht d.m.th. Fabula