E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të mblidhet kryesia para kongresit”

 

Aristir Lumezi

Tetë anëtarë të kryesisë dhe sekretariatit i kërkojnë Edi Ramës të mbledhë këtë forum para ditës së kongresit. Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot Islami, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri, Mimoza Hafizi, Saemira Pino përmes një kërkesë të depozituar dje në sekretariatin ekzekutiv në PS shprehin domosdoshmërinë e mbledhjes së kryesisë socialiste për të marrë disa vendime. Duke u nisur nga neni statusor që kryesia duhet të mblidhet jo më pak se njëherë në muaj, anëtarët e kryesisë shprehen se është detyrë e saj të diskutojë për çështje që kanë lidhje me kongresin, por dhe jetën politike dhe parlamentare të PS-së. Thirrjen e mbledhjes së kryesisë ata e kërkojnë për organizimin e Grupit Parlamentar në prag të hapjes së sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, sipas anëtarëve të kryesisë, kërkohet që në rendin e ditës së Kongresit të përfshihen disa ndryshimeve në Statutin e PSSH, që tashmë njihet si platforma Blushi. Ashtu siç ka bërë gjithnjë në rastet e mbledhjes së një kongresi, anëtarët e kryesisë kërkojnë prej saj të merret dhe të diskutojë për përgatitjen dhe Administrimin e Kongresit, por dhe të vendosë garantimin e transparencës gjatë ditës së Kongresit, duke u përpjekur kështu të korrigjojnë mënyrën se si u zhvillua mbledhja e asamblesë Kombëtare, ku mediat nuk ishin prezente. Gjithashtu në kërkesën e tyre, tetë anëtarët e kryesisë, kërkojnë prej saj që në rendin e ditës së kongresit të jashtëzakonshëm të 29 gushtit, të përfshihen dhe diskutime për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së Kryetarit të PSSH.
Harasani
Një prej firmëtarëve të kësaj kërkese, Andis Harasani thotë se është e domosdoshme prania e kamerave dhe e mediave në kongresin e socialistëve të 29 gushtit. “Ajo çka ka nevojë është një respektim i rregullave të PS, një respektim i demokracisë së brendshme të PS. Duhet të japim një shembull ndaj kundërshtarit tonë politik zotit Berisha, të bëjmë një kongres sa më të hapur, një kongres sa më transparent, një kongres me praninë e mediave. Nuk kemi pse të kemi frikë nga mediat. Kjo ka qenë dhe një nga kërkesat që zoti Rama ka pasur në 2005. Një nga premtimet në 2005 që të gjitha mbledhjet do të jenë të hapura”, u shpreh dje Harasani. Sipas tij, Rama nuk duhet të rikandidojë më, pasi socialistët sot janë në opozitë. “Personalisht mendoj se zoti Rama nuk duhet të kandidojë pasi nuk arriti atë premtim që i dha PS për ta sjellë PS në pushtet. Për sa kohë nuk u realizua ky objektiv nuk mendoj se zoti Rama duhet të kandidojë.

Anëtarët e Kryesisë dhe Sekretariatit

Ben Blushi,         anëtar kryesie
Arben Malaj,         anëtar kryesie
Kastriot Islami,         sekretar për Zgjedhjet
Andis Harasani,     sekretar për Programin
Sajmira Pino,         anëtare kryesie
Eva Allushi,         anëtare kryesie
Mimoza Hafizi,         anëtare kryesie
Edlira Haxhiymeri,     sekretare e Shanseve             të Barabarta

Mbeten detajet e fundit organizative

Selia rozë është duke u marrë me detajet e fundit organizative për kongresin e jashtëzakonshëm të ditës së shtunë. Me përgatitjet e tij kryesisht është marrë kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, i cili është njohës i mirë i kongreseve, pasi asiston dhe drejton kongreset që nga 10 qershori i 1991. Kongresi i cili do të jetë një ditor, do të merret me miratimin e rezolutës së Asamblesë Kombëtare që shpreh qëndrimin e PS-së për zgjedhjet. Ndërsa pika e dytë e rendit të ditës, mbetet zbatimi i dy neneve të statutit, që kanë të bëjnë me mungesën e mandatit të kryetarit aktual dhe administrimin e kandidaturave dhe platformave për kryetarin e ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›