E Diel, 1 Nëntor 2026

I dënuari me burg përjetë u martua në arrati

RENEA arreston 33-vjeçarin Murat Nezha, kërkohej për vrasje të trefishtë në vitin 2001

Në kërkim prej 9 vjetësh, pasi kishte vrarë vjehrrin, vjehrrën dhe gruan, ai ka arritur të martohet sërish dhe t’i shpëtojë prangosjes deri dje kur është arrestuar nga forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me policinë e Tiranës. Ai ndërronte shtëpi shpesh dhe herën e fundit ishte stacionuar pranë rrugës kryesore, sa kalon Universitetin Bujqësor. Bashkë me gruan dhe djalin, ai jetonte aty prej pak kohësh, ndërkohë që policia e kishte zbuluar shtatë ditë më parë. Bëhet fjalë për Murat Nezhën, 33 vjeç, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të trefishtë që ka kryer në vitin 2001. Pikërisht më 30 dhjetor të vitit 2001 ka vrarë vjehrrin Xhaferr Poga, vjehrrën Hasime Poga dhe të shoqen Alida për shkak të një sherri për motive xhelozie.

Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se arrestimi i tij u bë mëngjesin e djeshëm, pasi banesa u rrethua me tri njësi të forcave RENEA. Por, operacioni për kapjen e tij ka nisur shtatë ditë më parë. Atë ditë, forcat e Komisariatit Nr. 5 kanë marrë informacion se në një banesë afër rrugës, te vendi i quajtur “malorja e Kamzës”, pranë Universitetit Bujqësor, jetonte Murat Nezha, 33 vjeç, i shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të trefishtë. Në këto momente, shërbimet e hetimit të krimit në Komisariatin e Kamzës kanë mundur të zbulojnë edhe numrin e tij të celularit, duke ia kaluar për përgjim strukturave të specializuara. Për gjashtë ditë rresht, pikërisht deri dje, ai është mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e antikrimit, të cilët janë siguruar se ishte i shumëkërkuari nga Komisariati i Kavajës.

Dy ditë më parë, në repartin special RENEA kanë shkuar informacione e para për të dhe është bërë plani për ndërhyrjen dhe kapjen e tij. Tri njësi me nga gjashtë veta, të mbështetur nga njësia e negocimit dhe snajperët kanë rrethuar zonën që në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Ata kanë pritur derisa ka zbardhur, kur kanë filluar të lëvizin edhe familjarët e tij. Në atë kohë, RENEA i ka bërë thirrje Nezhës të dorëzohet. Sapo ai është vënë në dijeni se është rrethuar ka dalë jashtë dhe ka tentuar të arratiset. Por, kur ka kuptuar se nuk kishte ku të shkonte, është kthyer sërish brenda. Për rreth 30 minuta, njësia e negocimit, i ka kërkuar të dorëzohet dhe ai nuk pranonte. Në fund, ai ka kërkuar që të qëndrojë vetëm pak me djalin e tij dhe t’i linte porositë gruas, e më pas do të dorëzohej. E duke u dorëzuar në duart e policisë, ai është prangosur dhe është dërguar në qeli, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.

Sipas policisë, në muajin dhjetor të vitit 2001, ai kishte një konflikt me gruan e parë. Motivi i konfliktit ishte xhelozia. Në mbrojtje të Alida Pogës, kishin dalë edhe nëna Besime dhe i ati Ramiz. Në debat e sipër, Murat Nezha, në atë kohë vetëm 24 vjeç, ka marrë një armë zjarri dhe i ka vrarë të tre. Menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes dhe që atëherë nuk është kapur më. Megjithatë, mbetet e pasqaruar sesi ai ishte martuar në mënyrë të rregullt gjatë kohës që ishte në kërkim. Për këtë, policia ka deklaruar se mbase ka përfituar edhe nga ndryshimet fiziologjike. Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje të tij dhe familjes, por edhe nga informacionet që policia ka pasur për këtë rast, mësohet se gjatë kësaj kohe, ai ka jetuar në disa zona të Tiranës. Për një periudhë të gjatë kohe, ai ka jetuar te “Pallatet e Aviacionit”. Më pas, ai kishte marrë një tjetër banesë në qendër të Bathores, por edhe aty ishte rrezikuar zbulimi i tij. Vetëm gjatë muajve të fundit, ai është instaluar në shtëpinë që u kap mëngjesin e djeshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›