E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Jo, shitjes së barnave në farmacitë private

TIRANE- Barnat mjekësore për përdorim spitalor nuk do të lëvizin më jashtë Spitalit në mënyrë korruptive për t’u tregëtuar më pas në tregun privat farmaceutik, sikundër mund të ketë ndodhur rëndom në dekadën e fundit.

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një urdhri të brendshëm ka vendosur të etiketoje barnat spitalore me një pullë të veçantë me ngjyrë të kuqe, lehtësisht të dukshme, ku shkruhet vetëm për përdorim spitalor.

“Fusim këtë masë në mënyrë që të përmirësojmë gjithmonë e më shumë, në mënyrë rrënjësore administrimin në përgjithësi, por edhe administrimin e barnave në veçanti. Menaxherët e shërbimit në njërën anë, drejtuesit, mjekët, infermierët dhe publiku nga ana tjetër të kenë mundësi lehtësisht të identifikojnë ato që janë jo vetëm të drejta, por edhe mënyrën sesi disa produkte me rëndësi të veçantë, siç janë barnat të lëvizin brenda për brenda sistemit. Vula për të pasur disa elemente akoma më konkrete dhe një vulë e kuqe, lehtësisht e dallueshme. Ju keni mundësi të shikoni që kjo do të jetë vula e re që do të shoqërojë të gjitha barnat që qarkullojnë në spitale dhe ku mund të lexohet lehtësisht dhe të shkruhet lehtësisht , përdorim spitalor, ndalohet shitja”, -  theksoi Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Gjatë një konference për shtyp të thirrur nga kreu i shëndetësisë, Petrit Vasili, ky i fundit ka sqaruar edhe situatën më të fundit të furnizimit me ilaçe për spitalin më të madh në vend, 'Nënë Tereza', duke u shprehur se tanimë lidhja e kontratave është drejt fundit dhe për një pjesë të ilaçeve, furnizimi ka nisur.

“Të gjitha këto lote janë të detyruar të respektojnë të gjitha procedurat e shteti shqiptar në drejtim të fushës së prokurimeve. Me informacionin më të freskët që unë kam, brenda pak ditësh, mbarojnë edhe lotet e fundit, ndërkohë që ne bisedojmë janë mbulluar pjesa dërrmuese e kontratave. Vetë drejtuesit e shërbimeve kanë pohuar se janë furnizuar në mënyrë të rregullt dhe kanë plotësuar shumicën ndërmuese të nevojave të tyre”, - u shpreh Vasili.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›