Gratë, protestë kundër Ramës
erald kapri
Mijëra gra protestuan dje para Bashkisë së Tiranës, duke i kërkuar kreut të saj të ndalojë grevën e urisë, që mbahet para Kryeministrisë. Gratë protestuese i kërkuan liderit të opozitës, Edi Rama, që të ndalë grevën e urisë dhe në mënyrë të veçantë të largojë gratë nga greva. Në pankartat e kësaj proteste, gratë akuzonin kreun e PS-së se po dhunon gratë. Njëkohësisht në këto pankarta shkruhej se Rama po pengon liberalizimin e vizave. Në këtë protestë morën pjesë edhe aktoret e njohura si Edi Luarasi dhe Suela Konjari, të cilat i bënë thirrje kreut të opozitës që të heqë dorë nga greva. "Ti, zoti Rama nuk mund të na pengosh heqjen e vizave. Ne duam të shohim fëmijët tanë. Ne duam të shohim mbesat dhe nipat tanë, që jetojnë jashtë. Ti s'mund ta prishësh këtë moment, që mezi po e presim", deklaroi aktorja Edi Luarasi. Në këtë protestë folën edhe mjaft gra të tjera, të cilat akuzuan drejtpërdrejt kreun e opozitës, duke thënë se kreu i opozitës kërkon të fusë vendin në dramë. "Zoti Rama, dramën tënde me fëmijë, mos e kthe dramë të fëmijëve të nënave shqiptare. Vetëm një katil mund t'i heqë fëmijës nënën nga koka dhe ta fusë në burgun e rrugës, siç ke bërë ti", tha njëra prej grave, pjesëmarrëse në këtë protestë. Përpara grave, në protestë foli edhe aktorja Suela Konjari. Ajo i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të nxjerrë gratë dhe nënat nga greva e urisë. Ajo i tha Ramës se gratë nuk futen në grevë. "Të flas si grua; nuk futen gratë në grevë. Nxirri nënat nga greva!", deklaroi Konjari. Protesta e djeshme u mbështet nga disa shoqata të ndryshme, në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Sipas tyre, protesta që po mban opozita në çadra, para Kryeministrisë, po dhunon gratë që janë në grevë. Njëkohësisht ato e kanë cilësuar si të dëmshme për interesat e vendit mbajtjen e kësaj greve, në veçanti për liberalizimin e vizave që pritet të ndodhë brenda këtij viti. Protesta e grave u zhvillua para Bashkisë së Tiranës.