BSH: Do ulen remintancat dhe investimet e huaja
Vitin e ardhshëm të ardhurat e emigrantëve pritet të pësojnë ulje, po ashtu edhe investimet e huaja direkte. Kjo si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare që ka prekur shumë vende të globit. Për pasojë rritja ekonomike e vendit në 2009-ën do të jetë më e ulët se parashikimi i kryer nga qeveria. Deklarata është dhënë dje nga vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të bankës. "Në rrafshin ekonomik, Shqipëria mund të përballet me kushte më të vështira për financimin e aktivitetit, me një rënie të kërkesës së huaj, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. Të gjitha këto mund të sjellin një ritëm më të ulët rritjeje gjatë vitit 2009, ndonëse në nivele që mbeten gjithsesi të pranueshme", ka thënë kreu i Bankës së Shqipërisë. Në fjalën e tij, Guvernatori ka garantuar sërish shqiptarët se tregjet financiare nuk janë prekur nga tronditjet e tregjeve financiare globale apo evropiane. Pra, e thënë ndryshe, bankat që operojnë në vend nuk janë "infektuar" nga kriza financiare ndërkombëtare. Në mbledhjen e tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka "skanuar" të gjithë treguesit financiarë të vendit dhe në përfundim ka vendosur që të mos ndryshojë normën bazë të interesit, e cila aktualisht është në nivelin e 6.25 për qind.