E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Liberalizimi i vizave në fillim të 2010

 

Shqipëria mund të përfitojë në vitin 2010 liberalizimin e vizave me BE-në. Këtë e bëri të ditur dje Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat në përfundim të takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në BE Michael Leigh. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare "kam thënë dhe vazhdoj të them që viti 2009 është një vit vendimtar për liberalizimin e vizave. Nëse liberalizimi do të ndodhë në muajt e parë apo në muajt e fundit, apo në rast se për shkak të rrethanave politike, të tilla siç përmendi dhe ministri Shvarcenberg në Tiranë, të krizës ekonomike që ka mbërthyer botën, mund të shtyhet edhe për fillimin e vitit 2010, kjo është një çështje kalendari dhe vendimmarrjeje politike", tha ministri Basha. Sipas tij, qeveria shqiptare ka në dorë vetëm plotësimin e kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, më pas vendimi do të merret nga ky i fundit. "Se kur do të jetë kjo ditë, këtë s'mund ta them as unë as ministrat e jashtëm të çdo vendi evropian. Këtë duhet ta thotë i gjithë Bashkimi Evropian dhe është siç thatë ju një vendim politik, por që duhet të bazohet mbi një platformë të shëndoshë të arritjeve që Shqipëria duhet të dëshmojë në nivelin teknik: pasaportat biometrike, kontroll i integruar i kufijve dhe vazhdimësi e reformave" tha Basha. Ministri i Jashtëm u takua dje me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në BE Michael Leigh, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në vend, veçanërisht reformën zgjedhore që kaloi së fundmi në parlament. Basha i bëri të ditur Leigh të gjitha përpjekjet që po ndërmerr qeveria shqiptare, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri të mbahen sipas standardeve evropiane. "Nga ana tjetër, ministri Basha e siguroi  Leigh se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe e përkushtuar në zbatimin e të gjitha masave të nevojshme, me qëllim që kriteret teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të plotësohen brenda një kohe sa më të shkurtër", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Basha informoi gjithashtu zyrtarin e lartë të BE-së për përfundimin e regjistrit elektronik të qytetarëve, prodhimin e pasaportave biometrike dhe shpërndarjen e tyre duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, implementimin e suksesshëm të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufijve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›