E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Thelbi i reformës, rajonalizimi i shërbimeve

 Deklaratat e tij u bënë në analizën vjetore të QSUT-së në Tiranë. "Kjo do të thotë që gjithnjë e më shumë probleme duhet të zgjidhen në spitalet rajonale dhe degogjestionimi i QSUT është sfida e pandryshuar e jona", theksoi Vasili, sipas të cilit, QSUT është dhe duhet të mbetet qendra kombëtare elitare e mjekësisë shqiptare. "Sa më pak rutinë të panevojshme të ketë kjo qendër dhe sa më shumë të profilohet deri tek elitarizimi që i përket, aq më mirë i bën asaj vetë dhe po aq mirë u bën dhe shqiptarëve; sa më shumë rutinë të panevojshme, aq më shumë do t’i bjerë vlera dhe aq më shumë profili i lartë i saj professional do të bjerë", u shpreh ministri i Shëndetësisë.   Sipas tij, vetë QSUT duhet të bëjë rolin e saj për të ndihmuar në rajonalizimin e shërbimit. "Duhet të evitojmë çdo ardhje në panevojshme drejt Tiranës dhe shifrat flasin për mbingarkesë të panevojshme", theksoi Vasili. Ndërkohë, viti 2010, sipas drejtorit të QSUT-së Ilir Dashi, është viti i reformës në shëndetësi. Ndër objektivat kryesore, sipas tij, janë zbatimi me rigorozitet i sistemit të referimit, që do të sjellë reduktimin e mbipopullimit që ka sjellë ndër të tjerë mungesë efiçence, apo dhe të cilësisë të shërbimeve. "Në QSUT synohet të jepen shërbime që i takojnë kësaj qendre spitale (të nivelit terciar), por dhe dhënia e urgjencës me një imazh të ri, sidomos me nisjen e funksionimit të spitalit të ri", tha Dashi, duke shtuar se synime të tjera për t’u realizuar për këtë vit, janë sistemi i informacionit, përllogaritja e kostove, ku mjaft e rëndësishme është vendosja e raportit shitës-blerës, por edhe përmirësimi i ambienteve të brendshme dhe territorit, sistemi i shpërblimit, etj. Në QSUT përfshihen 6 spitale, ku në total ofrohen 63 shërbime shëndetësore. QSUT ka 2631 punonjës, nga të cilët 255 administrata, 293 mjekë, 80 kryeinfermierë, 1025 infermirë, etj. Ndërkohë, 139 janë pedagogë të Fakultetit të Mjekësisë. Të ardhurat dytësore që ka realizuar kjo qendër në vitin 2009 arrijnë në 45.894.391 lekë. Ndërkohë, investimet janë realizuar në masën 100 %.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›