Të huajt preferojnë Elbasanin për punësim
03/02/2010 Zyra e punës lëshon 130 leje pune për shtetasit e huaj, shumica të punësuar, por edhe sipërmarrës
ELBASAN- Të huajt kanë preferuar Elbasanin për punësim duke mundur vendasit për numrin e personave që kanë gjetur punë vitin e kaluar. Zyra e Punësimit në Elbasan bën të ditur se për vitin 2009 është rritur numri i personave të huaj të punësuar në Elbasan. Drejtori i kësaj zyre, Eduard Shehu, thotë se është vënë re ky fenomen gjatë vitit të kaluar. Kështu gjatë 2009-s janë lëshuar 130 leje për punë për shtetasit e huaj të punësuar në Elbasan.
Të huajt
Nga këto 123 janë punëmarrës, ose të punësuar në sektorë të ndryshëm, 5 kanë hapur biznes privat, ndërsa dy janë punëdhënës, d.m.th kanë marrë të tjerë persona në punë. Kryesisht këta shtetas janë turq, maqedonas, rumunë, francezë madje edhe pakistanezë. Kryesisht ata janë të punësuar në sektorët e prodhimit, por edhe në sipërmarrje të ndryshme të huaja në Elbasan. Edhe firmat kanë përdorur krahun e specializuar të punës të ardhur nga vendet e tjera. Zyra e Punësimit konfirmon se vitin e kaluar nuk ka pasur një program punësimi, por janë realizuar 606 punësime nga të cilat me ndërmjetësim 418 persona janë punësuar kryesisht në sektorin e industrisë përpunuese. Një zhvillim pozitiv për vitin e kaluar ka pasur KURUM që ka rimarrë një numër të madh punëtorësh që i kishte shkurtuar duke rritur ndjeshëm numrin e deklaruar të punësimeve gjatë 2009-s. Ndërkohë persona që janë punësuar vetë numërohen 188. Drejtori Shehu tha se vitin e kaluar është ndjerë kriza, por me luhatje që kanë ardhur në përmirësim për sa i përket biznesit privat. Ai theksoi se janë trajtuar me pagesë papunësie 966 persona për Elbasanin që e ka ndjerë edhe më shumë efektin krizë. Në lidhje me shifrat e papunësisë ai deklaron se janë thuajse në të njëjtat nivele për dy vitet e fundit. Kështu Elbasani numëron 16358 persona ose 14.5% të regjistruar si të papunë pranë zyrave të Punësimit më pas vjen Gramshi me 1883, Librazhdi me 1682 dhe Peqini me 1300 të papunë të regjistruar. Zyra e Punësimit është gjithashtu një ndërmjetës efektiv me biznesin nëpërmjet 6 specialistëve të vendosur për të 6 rajonet e Elbasanit për të bërë të mundur edhe realizimin e punësimeve. Njëkohësisht ky institucion ofron konsultime për hartimin e kontratave kolektive në dobi të të dy palëve bazuar në Kodin e Punës dhe po kështu informacion të domosdoshëm për personat që duan të emigrojnë. Shehu deklaroi se kjo zyrë për personat që emigrojnë ofron informacion dhe legjislacionin e shteteve ku ata kanë qëllim të shkojnë, ndërsa për emigrantët që kthehen konsulencë sesi ata të riintegrohen në tregun shqiptar të punës. Por e vërteta është se shumë njerëz i drejtohen zyrës së Punës për të marrë një vërtetim papunësie që do t’i duhet për përkrahje, librezë shëndeti e lehtësira të tjera, por shumë rrallë për të gjetur një punë.