E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Tolerancë zero për ata që abuzojnë me medikamentet

TIRANË- Tolerancë zero ndaj kujtdo që abuzon me medikamentet në spitale, ka paralajmëruar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Keni autoritet të plotë për të shkarkuar nga puna cilindo që vë dorë mbi barnat dhe abuzon me to. Zero tolerancë ndaj çdo shkelje të tillë”, iu drejtua ministri Vasili drejtorëve të spitaleve në rrethe, duke kërkuar marrjen e masave që të mos mungojnë në asnjë rast barnat, në të kundërt do të merren masa, siç paralajmëroi ai.

Në një takim me drejtuesit e spitaleve, ministri Vasili ka kërkuar vëmendje të veçantë për sa i përket lëvizjes së barnave nga farmacia tek spitali, duke nënvizuar se “duhet të pyeten dhe pacientët nëse i kanë marrë barnat nga spitali”.
Po kështu, ministri ka kërkuar vëmendje dhe prioritet ndaj situatës së urgjencave në spitale, veçanërisht gjatë orëve të pasdites dhe orëve të natës, kur jo i gjithë stafi është në eficencë të plotë.

Ai ka kërkuar gjithashtu respektim të fortë të sistemit të referimit, si dhe vëmendje e veçantë për t’iu përgjigjur në kohë ngjarjeve të veçanta si aksidente, etj. Një tjetër pikë ku u përqendrua mbledhja ishte dhe dhurimi i gjakut, për të cilin ministri kërkoi më shumë angazhim lidhur me organizimin e punës, por dhe ndërmarrjen e fushatave sensibilizuese në këtë drejtim.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›