E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Vendi në krizë

Tiranë (start)- Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për integrim Petrit Vasili, tha sot pas takimit të përbashkët të partive, LSI, PDK, PS ’91, PBDNJ, PAD dhe PDS, se të gjitha këto parti ishin në një linjë, sipas të cilave vendi ndodhet në një krizë shumë të rëndë politike. Vasali theksoi se dy propozimet konkrete që janë bërë nga deputetët grevistë janë mënyra e vetme për të dalë nga kriza aktuale.

“Propozimet janë bërë shumë të qarta në letrën e deputetëve. Ne kemi qenë të hapur për të dyja: qoftë për një përbërje tërësisht teknike, të komisioneve të administrimit të votës, që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komisione të administrimit lokal, apo për një përbërje partiake gjithëpërfshirëse, së paku në nivel parlamentar”.

“Greva e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë do të vazhdojë, protestat tona përpara Parlamentit do të fuqizohen dhe do të zgjerohen. Ndërkohë, kjo protestë e madhe, popullore do të zgjerohet dhe do të shtrihet në mbarë vendin. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë, që përfundimisht Shqipëria të ketë zgjedhje me standarde ndërkombëtare dhe evropiane dhe nuk do të heqim kurrë dorë nga kërkesa për të patur këto zgjedhje Shqipëria, si hapin e vetëm të mundshëm për të patur një shtet demokratik dhe për të patur demokraci të vërtetë në Shqipëri”-theksoi Vasili për mediat.

Duke folur për qëndrimin e OSBE-së, Vasili tha se “besoj se qëndrimi i zotit Bosch është shumë i qartë. Ai mbështet zgjedhjet demokratike, zgjedhjet sipas standardeve demokratike gjitheperfshirjen dhe diskriminimin e partive dhe bën thirrje që këto zgjedhje të jenë të tilla dhe të reflektojnë ata që kanë marrë autorësinë e Kodit, pikërisht në këtë frymë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›