Festivali i Iso-Polifonisë mes Ministrisë së Kulturës, Vlorës dhe Beratit
Sejmen Gjokoli*
Ka tetë vite, në radhë, që në qytetin e Vlorës po krijon traditë mbajtja e Festivalit të Iso-Polifonisë. Shqiptare. Madje, me emrin e plotë, Festivali Kombëtar i Iso-Polifonisë. Kështu gjendet në kalendarin e aktiviteteve të Ministrisë së Kulturës, në Tiranë;
kështu emërtohet edhe në listën e veprimtarive vjetore të Bashkisë Vlorë. Jam dëshmitar i sa e sa peripecive që ky “i gjorë” Festival ka kaluar. Sa herë i është vënë në pikëpyetje ekzistenca, për mungesën e fondeve sidomos, por edhe të
organizimit, jo pak. Veç paradoksi qëndron se në të gjitha rastet fondet kanë munguar për mungesë planifikimi nga ata që po vetë e kanë planifikuar për t’u bërë: Ministria e Kulturës. Po sa herë ka ndodhur kjo situatë është gjendur si “barkë” shpëtimi
Bashkia e Vlorës. Falë dashamirësisë e bujarisë së saj, pengesat financiare janë kapërcyer e aktiviteti, gjithsesi, është realizuar. Sikundër ndodhi edhe në edicionin e këtij viti, pak ditë më parë. Po kësaj radhe Bashkia pati edhe ndihmesën financiare të Këshillit të Qarkut e ndonjë deputeti që së bashku mundësuan ngjitjen në skenë të rreth 18 grupeve me iso-polifoni labe e toske. Mbas një eksperience tetëvjeçare mbase duhet të bëhet një analizë e specializuar mbi realizimin e këtij aktiviteti si për nga organizimi ashtu dhe vlerat që përcjell. Ca më tepër që është emërtuar si kombëtar dhe sidomos kur prej vitit 2005, iso-polifonia shqiptare është certifikuar si pasuri shpirtërore e njerëzimit, e mbrojtur nga UNESCO. Parë në këtë vështrim, është vërtet e trishtueshme që askush nga institucionet përgjegjëse të kulturës këtë interesim të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare nuk e kanë parë si obligim për t’i bërë ca punë më mirë. Me pak përjashtime, mendoj, se ky aktivitet nga Ministria e Kulturës është trajtuar si për të kaluar radhën ndërsa nga Bashkia e Vlorës si një aktivitet kulturor më shumë. Për këtë të fundit, për hir të së vërtetës, merr edhe më shumë vlera duke qenë i instaluar në radhën e aktiviteteve të festave të nëntorit që, në këtë qytet, për shkak të historisë dhe traditës veprimtaritë e këtij muaji marrin përmasa kombëtare. Por çudia duket se po ndodh këtë vit.
Ndërsa pritej që Ministria e Kulturës apo institucionet e saj të specializuara të ndërhynin e të kontribuonin që edicioni i sivjetshëm të vinte edhe më cilësor, sidomos në prurjet dhe përcjelljen e vlerave mbarëkombëtare të iso-polifonisë, si “rrufe” në qiell të pastër lëshohet urdhri i bojkotit madje transferimit të vetë festivalit. Siç po duket, këtë vit, do të kemi dy Festivale Kombëtare Iso-Polifonie: i Vlorës që
u realizua nga Bashkia dhe, siç po thonë, i Beratit që këto ditë pritet ta bëjë Ministria. Kësaj vërtet i thonë “dy Kamberë në një derë “. Po mirë, ç’faj ka Iso-Polifonia, mbartësit dhe interpretuesit e saj, që të nëpërkëmben e çoroditen se nuk merren vesh pushtetet? Ca më tepër, vendimi i njëanshëm i Ministrisë së Kulturës për t’ia hequr Vlorës këtë aktivitet që tanimë është kthyer në tradicional na duket i nxituar e fare i pamenduar. Askush nuk ka të drejtë që Iso-Polifoninë ta nxjerrë nga “shtëpia”. Se Vlora siç ka detin, një “det” më vete, ka Iso-Polifoninë. Ndaj ka qenë dhe mbetet “kryeqytet” i këtij visari shpirtëror, ku sot gjallojnë grupe, shoqata e një rrjet i tërë i
lëvizjes folklorike, sikundër edhe në mjaft qytete të tjera të vendit që bëhet jo pak për folkun tradicional. Institucionet dhe pushteti mjafton të dinë të gjejnë gjuhën, të vlerësojnë e
respektojnë këto forca organizuese, krijuese e interpretuese që për trashëgiminë e popullit mendojnë e punojnë vazhdimisht edhe pse mes vështirësish të jashtëzakonshme që ofron ekonomia e tregut në këtë fushë.
* Kryetar i Rrjetit Kombëtar të Grupeve dhe Shoqatave të Iso-Polifonisë.
9 Dhjetor 2008