Vasili dështon me sukses në provën e Farmakovigjilencës
Urdhri i dhënë rreth dy muaj më parë nga Ministria e Shëndetësisë përsa i përket sistemit të ri të kontrollit të barnave, ose të quajtur ndryshe nga vetë ministri Vasili si Farmakovigjilenca duket se ka dështuar me sukses. Burime nga Qendra e Kontrollit të barnave
kanë deklaruar dje për gazetën SOT se edhe pse ka më shumë se dy tre muaj që është ngritur grupi i punës me specialistë e inspektorë që do të syrvejojnë problemet e shkeljet në farmacitë apo laboratorët si ato privatë e ato shtetërorë, deri më tani janë konstatuar me shkelje vetëm 1200 subjekte në gjithë vendin. Sipas këtyre burimeve është problem kontrolli i imtësishëm pasi ndër vite nuk ka patur një syrvejim të vazhdueshëm, e shkelësit të cilët mund të jenë biznesmenë të fuqishëm shumë herë abuzojnë e nuk pranojnë të bëhen kontroll në farmacitë apo në laboratorët privatë të cilët shpesh herë prodhojnë barna popullore e që nuk janë në standardet e duhura. Ndërkohë burime nga QSUT kanë deklaruar dje se ashtu sikur të gjitha planet e tjera të Ministrisë së Shëndetësisë edhe ky projekt në fillim pati një efekt të madh se do të ndihmonte në nxjerrjen në treg të barnave të kontrolluara e se do ti jepte fund problemeve me sigurinë e ilaçeve, të cilat jo pak herë kanë ndikuar në shëndetin e konsumatorëve shqiptarë në mënyrë negative. Sipas specialistëve farmakos përkthehet në shqip ilaçe, dhe vigjilencë është syrvejim ruajtje. Pra Farmakovigjilenca ka si synim mbajtjen në syrvejim të ilaçeve që përdoren në vendin tonë. Në lidhje me këtë shumicën e rasteve ilaçet që importohen në vend janë pa pulla sigurie dhe përbëjnë rrezik për pacientë. Kryesisht këto ilaçe janë ato që shiten me çmim më të ulët sesa ilaçet e tjera. Por problematikën më të madhe për këtë nismë të Ministrisë së Shëndetësisë e ngrenë vetë farmacistët të cilët deklarojnë se mbi 70 për qind e pacientëve preferojnë dhe blejnë ilaçet e lira që kryesisht importohen nga Serbia Rumania Mali i Zi etj. Disa prej farmacistëve në kryeqytet kanë pohuar se një pjesë e madhe e këtyre ilaçeve të lira në çmim skadojnë shumë shpejt madje ka raste edhe përpara datës së shënuar në ambalazh
Task-forca.
Grupi me inspektorë e specialistë nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave e cila do të kontrollojë edhe cilësinë e barnave në treg do të kombinohet edhe me mekanizmin e Farmakovigjilencës. Kështu shëndetësia Shqiptare do ta hedhë këtë hap për tu vendosur në kufijtë normal të një shteti evropian normal që sillet në mënyrë shumë korrekte dhe të sigurt me pacientët e tij për atë që iu ofron shërbimi shëndetësor. Ky sistem aplikohet për herë të parë në vendin tone. Kujdes i veçantë duhet të tregohet tek barnat e reja që hidhen në treg. Janë këto barna që paraqesin dhe rrezikun më të lartë për efekte të padëshiruara Vitet e para të hedhjes në treg duhet të vëzhgohet me kujdes çdo problem i cili mund të shoqërojë barin. Evidentimi i ndonjë problemi që shoqëron këto barna duhet të bëhet e njohur me shumë përgjegjësi para hedhjes në treg gjatë periudhës së 8 provave klinike. Përgjithësisht kostoja për rikuperimin e dëmeve të efekteve të padëshiruara të një medikamenti e kalon disa herë koston e vetë mjekimit për shërimin e sëmundjes, për të cilën mjekohej fillimisht pacienti, Farmakovigjilenca e minimizon këtë problem. Farmakovigjilenca është shkenca dhe aktiviteti që ka lidhje me zbulimin, vlerësimin, kuptimin me qëllim parandalimin e efekteve të padëshiruara ose të ndonjë problemi tjetër që ka lidhje me barin. Qëllimi i Farmakovigjilencës është përmirësimi i kujdesit ndaj pacientit, duke rritur sigurinë në lidhje me përdorimin e barnave. Po kështu, duke shtuar kujdesin edhe gjatë ndërhyrjeve mjekësore ose paramjekësore. Struktura e re synon të përmirësojë shëndetin publik e të japë garanci në lidhje me përdorimin e barnave.
Përse shërben Farmakovigjilenca
Qëllimi humanitar:
(Kur ka të dhëna të pamjaftueshme mbi sigurinë e barit, të cilat i marrim nga provat klinike. Eksperimentet në kafshë.
Barnat shërbejnë për të shpëtuar jetën:
Të vdesësh nga një sëmundje ndonjëherë është e pashmangshme, të vdesësh nga një bar është e papranueshme.
Efektet e padëshirueshme na kushtojnë shumë:
Farmakovigjilenca minimizon kostot e padëshiruara për pacientët
Rekomandon dhe kërkon përdorimin me racional të barnave
Garanton sigurinë e publikut
Arta AGOLLI