E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithë pronat shtetërore në shitje, ja procedurat e privatizimit

Vlerësimet do kryhen nga kryetari i degës së shoqërive publike dhe ekspertët vlerësues

Të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros së ndërmarrjeve, shoqërive tregtare dhe institucioneve, me kapital tërësisht shtetëror kanë dalë në shtije nga qeveria. Pagesa për ndërmarrjet që do të privatizohen,

do të jetë 2 për qind e vlerës së objektit apo të grup-objekteve të vlerësuara, por jo më pak se 60 000   lekë dhe jo më shumë se 300 000 lekë. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Financave. Sipas vendimit institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore, për pasuritë e ndërmarrjeve apo të institucioneve, që kanë në varësi administrative a në pronësi, i dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive ministrisë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për privatizimin nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim, pas mendimeve të përmendura më sipër.

Procedura
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në rast se ministria përgjegjëse për privatizimin e pronës u kërkon institucioneve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore kërkesën për prononcim privatizimi për pasuritë e ndërmarrjeve apo të institucioneve, të cilat i kanë në varësi administrative, këto institucione janë të detyruara, që, brenda 30 ditësh nga data e kërkesës, të dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive. Në rast se ky afat tejkalohet, atëherë ministria përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore ngre një komision, të përbërë nga tre anëtarë, i cili verifikon faktikisht objektin. Nëse pas këtij verifikimi rezulton se objekti është i braktisur dhe nuk përdoret nga institucioni që e ka në administrim apo në pronësi, atëherë ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore jep miratimin për privatizim të këtyre objekteve, duke e konsideruar të dhënë pëlqimin nga institucioni administrues për përfshirjen e tyre në privatizim dhe i kërkon institucionit administrues caktimin e një përfaqësuesi në komisionin e vlerësimit të pronës. Sipas të njëjtave burime nëse institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore shprehen për mosprivatizimin e pasurive  të ndërmarrjeve apo të institucioneve, që i kanë në varësi administrative, ato duhet ta argumentojnë qartë këtë fakt.


Komisioni i vlerësimit
Komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike, në prefekturën ku ndodhet objekti, dhe në përbërje ka ekspertin vlerësues, të licencuar dhe përfaqësuesin e ndërmarrjes apo të institucionit, në administrim të të cilit ndodhet objekti. Sipas vendimit të qeverisë mësohet se në varësi të nevojave të procesit të vlerësimit të objektit, nëse është e nevojshme, ministri përgjegjës për privatizimin urdhëron që në komisionin e vlerësimit të marrë pjesë edhe eksperti kontabël apo ekspertë të tjerë të fushës përkatëse. Sipas të njëjtave burime mësohet se ekspertët vlerësues në përbërje të komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit (pagesa e ekspertëve etj.) bëhen nga ministria përgjegjëse për privatizimin, përveç rasteve kur ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore  urdhëron pagesën nga institucione të tjera.

Vlerësimi i objekteve në shitje
1. Procedurat për vlerësimin e pasurisë shtetërore fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për privatizimin.
2. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut.
3. Ministria përgjegjëse ngre komision vlerësimi për objektin
4. Eksperti vlerësues  brenda 15 ditësh nga dalja e urdhrit për privatizimin e objektit, përgatit genplanin përkatës.
5. Komisioni i vlerësimit,  pas marrjes së genplanit të përgatitur nga ekspertët, i drejton institucionit të prefektit.
6. Prefekti autorizon një përfaqësues, i cili nënshkruan genplanet e objekteve të kërkuara nga dega e shoqërive publike.
7. Pas marrjes së genplanit, të konfirmuar nga prefektura përkatëse, dega e shoqërive publike i kërkon zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme hartë.
8. Dega e shoqërive publike, pas marrjes, nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të hartës treguese, me të dhënat përkatëse të objektit.
9. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, ia dërgon degës së shoqërive publike konfirmimin për çmimin.
10. Eksperti vlerësues përcakton çmimin përkatës të truallit, ku ndodhet objekti përkatës,në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve.
11. Afati i plotësimit të dokumentacionit të vlerësimit për ndërtesat dhe ndërtimet, linjat e prodhimit dhe të shërbimit duhet të jetë jo më shumë se 50 ditë.

Dokumentacioni i komisionit të vlerësimit
Dokumentacion i dërgohet pranë  Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për objektet ndërtimore dhe linjat e prodhimit ose të shërbimit, me shkresë përcjellëse, të nënshkruar e të vulosur nga dega e shoqërive publike përkatëse, ku përcaktohen vlera e objektit, sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt e ajo funksionale. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pasi kontrollon nëse ky dokumentacion ka kaluar në hallkat përkatëse, ia përcjell atë Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Ministrisë së Financave (Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike), për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit, inventarin ekonomik, mjetet e xhiros etj., me shkresë përcjellëse, të nënshkruar dhe të vulosur nga dega e shoqërive publike përkatëse, kur asetet do të shiten të veçanta. Vlerësimi i pasurisë së ndërmarrjeve shtetërore, që transformohen, në zbatim të urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë, bëhet në përputhje me këtë vendim. Eksperti vlerësues i pasurive të paluajtshme harton genplanin përkatës të shoqërive aksionare dhe të shoqërive me kapital të përbashkët, të cilat janë në proces vlerësimi për privatizim, kur del i nevojshëm hartimi i një genplani të ri, i ndryshëm nga ai i përgatitur në çastin e themelimit të shoqërisë. Shoqëria ia dërgon institucionit të prefektit, ku ka vendndodhjen shoqëria, kërkesën për konfirmim të genplanit, të hartuar nga ekspertët vlerësues përkatës. Institucioni i prefektit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, konfirmon genplanin e shoqërisë, duke e nënshkruar dhe vulosur atë, në 5 kopje origjinale, dhe më pas ia përcjell shoqërisë. Detyrimet debitore dhe kreditore të ndërmarrjeve shtetërore që privatizohen mbyllen në çastin e ndryshimit të pronësisë. Drejtori i ndërmarrjes shtetërore mban përgjegjësi për rritjen e debi-kredive nga data e shpalljes së ndryshimit të pronës shtetërore.

Detyrimet debitore dhe kreditore
Kur bëhet privatizimi i gjithë ndërmarrjes shtetërore, detyrimet debitore dhe kreditore i kalojnë shtetit. Institucioni qendror ose organet e pushtetit vendor, sipas varësisë administrative të ndërmarrjes, ngarkojnë një punonjës të sistemit financiar a një profesionist të lirë, me një kontrate të posaçme për ndjekjen e arkëtimit, deri në 30 ditë nga data e dorëzimit të objektit. Këta kanë të drejtën e shpërblimit nga 5 deri në 10 për qind të shumave të arkëtuara, por jo më shumë se 12 paga bazë të përgjegjësit të financës në këshillin e qarkut ose këshillin bashkiak.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›