Vasili kthen zyrën e konsultave të QSUT në zyrë partie, 80 për qind e punonjësve me tesera
Konsulta e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza edhe pse në aparencë duket si institucioni më i ri në spital tjetër përshtypje të jep kur brenda syri të zë stola të shqyer e mure gjithë njolla. Por kushtet të cilat janë tepër problematike nuk përbëjnë as problemin më të vogël kur kambanat rrahin për tjetër gjë Një vend pune në këtë institucion është mund të ndërrohet jo me aftësi profesionale as me diplomë e specializim por fiks me një teserë partie. Në këtë kontekst
Ministri i Shëndetësisë Vasili duket sikur e ka shndërruar një prej institucioneve të QSUT-së në një zyrë partie ku pragun e derës nuk e kalon dot askush që nuk ka dokumentin identifikues se është anëtar partie. Bëhet fjalë për konsultën e QSUT-së institucion I cili çdo ditë është tejet i mbipopulluar nga qytetarë të ndryshëm që duan të kryejnë analiza apo ekzaminime të tjera. Mbipopullimi i qytetarëve të cilët dynden për të kryer një analizë, e kjo ju kushton pothuajse një ditë të tërë, është vetëm problemi më i vogël brenda dyerve të këtij institucioni shëndetësor. Paradoksi më i madh ka të bëjë me faktin se pikërisht aty ku profesioni i mjekëve apo i infermiereve duhet të jetë plotësisht i pavarur politikisht, gati 80 për qind e punonjësve janë të pajisur me teserë partie të forcës politike që duket sikur ka zaptuar kohët e fundit shëndetësinë. Burime nga konsulta e QSUT-së thanë për gazetën SOT se në konsultë është vështirë të punësohesh nëse nuk je anëtar i LSI-së. Forcë politike pjesë e së cilës janë edhe Drejtori i spitalit por edhe Ministri i Shëndetësisë. Sipas burimeve nga ky institucion është vetëm një përqindje e vogël e punonjësve që nuk janë me tesera LSI-je dhe këta mund të jenë shefat e shërbimit ose ndonjë person shumë i afërt i krerëve të qeverisë. Të tjerët duke përfshirë edhe rojën e derës apo pastrueset janë militantë të thekur të Ministrit të Shëndetësisë. Madje ky fakt vërtetohet edhe në rastet kur qytetarëve të ndryshëm duke pritur në radhët e gjata për ekzaminime ose analiza roja i derës i bën ndonjë ofertë për tu bërë pjesë e LSI-së se tek kjo forcë politike e ka të sigurt një vend pune e mund të ushqejë pa u munduar familjen. Burimet nga konsulta e QSUT-së theksuar dje për gazetën se për pjesën që nuk është e politizuar është vërtet ankth i madh pasi nga momenti në moment mund tu vijë njoftimi për largimin nga puna.
Precedenti
Sipas këtyre burimeve pjesa e punësuar si infermierë , laborantë, specialistë por në shumë raste edhe si mjekë të cilët janë me tesera partie janë persona që në shumicën e rasteve nuk kanë lidhje fare me shëndetësinë por janë punësuar vetëm se janë militantë të LSI-së. Këto burime sqaruan se kjo gjë përbën edhe një problem të madh në lidhje me ekzaminimet e kryera por edhe me etikën në profesionin e infermieres apo të mjekut pasi çdo gjë nga këta persona bëhet mekanikisht e në formë jo profesionale. Lidhur me këtë ka shumë raste kur në konsultën e QSUT-së është shume e vështirë të sqarohesh me infermieret që duket sikur çdo gjë tjetër kryejnë por në të vërtetë nuk plotësojnë atë gjë për të cilën mbajnë veshur edhe bluzat e bardha. Problemi i punësimit si militant partie nuk është i pranishëm vetëm në konsultë. Një pjesë e madhe e punonjësve të spitalit kanë bindje si ato të shefave të tyre duke e kthyer kështu QSUT-në në një mini LSI të re. Kjo sindromë duket si e injektuar nga administrata e drejtorisë së QSUT-së në të cilën ata që nuk janë të mbrojtur me statusin e partisë janë më të rrezikuarit për ndonjë pezullim pa motiv nga puna. Por jo vetëm në QSUT është e përhapur kjo lloj manie. Edhe në disa administrata të tjera ku drejtuesit janë me bindje të politizuara nga dy partitë në pushtet të përjashtuarit nga detyra janë profesionistët ata që kanë përgatitjen profesionale por nuk mbajnë në xhepat e tyre një teserë që përcakton statusin e tyre dhe bindjet se në cilën parti bëjnë pjesë.
Ministria e Shëndetësisë premton reformë në spital, në staf dhe pajisje
Reforma në Shëndetësi duhet shoqëruar dhe me një reformim të funksionit të gjithë rrjetit të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në qytete dhe fshatra. Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Bankës Botërore ka hartuar një master plan për racionalizimin e sistemit shëndetësor në vend. Për të arritur standarde duhen reformime rrënjësore në paisjen e spitaleve, menaxhimin dhe stafin e tyre. Një pjesë e mirë e poliklinikave në zonat rurale janë jo vetëm pa mjekë e infermierë, por dhe po rrënohen si godina, ndërsa për aparatura as që bëhet fjalë. Në të gjitha qytetet e vogla vihet re mungesa e theksuar e mjekëve specialistë të cilat janë dyndur në kryeqytet duke lënë kështu në gjendje të mjerueshme spitalet rajonale. Një prej pikave të këtij masterplani është përdorimi i teknologjive të avancuara sistemi GIS, kualiteti i shërbimit dhe njëkohësisht mundësitë për financim. Projekti do të japë rekomandimet, duke përgatitur specifikimet teknike për blerjen e pajisjeve të nevojshme për spitalet në të ardhmen. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u shpreh një muaj më pare se përmirësimi i shërbimit shëndetësor kërkon investime dhe vetë shëndetësia duhet të konceptohet si një produkt tregu. Në seminarin me temë Sfida e ekonomisë sociale në tregun e sektorit të shëndetësisë i cili u zhvillua pak kohë më parë, Ministri Vasili paraqiti katër pika ku sipas tij duhet të përqendrohet reforma në shëndetësi. E para ka të bëjë konkretisht me zbatimin në një shkallë më të gjerë të mjekësisë së familjes, kujdesit shëndetësor parësor shoqëruar me elemente të rëndësishëm strukturore si përkufizimi i paketës bazë të shërbimeve, apo dhe me ndryshime organizative përfshirë këtu delegimin e përgjegjësive financiare dhe menaxhuese në këtë nivel. Pika e dytë ka të bëjë me transformimin i ISKSH-së në një burim të vetëm financimi për kujdesin shëndetësor parësor dhe atë sekondar. Ndërsa pika e tretë ka të bëjë me përgatitjen e një strategjie rikonfigurimi për shërbimin spitalor për të ri-orientuar sistemin e ofrimit të shërbimit shëndetësor drejt atij parësor dhe për të rritur efiçencën e spitaleve nëpërmjet zhvillimit të standardeve spitalore në bazë të strukturës, procesit dhe rezultateve të tyre. Ndërsa pika e katërt ka të bëje me institucionalizimin e sistemeve të Llogarive Kombëtare Shëndetësore. Por edhe pas shumë deklaratash të Ministrit Vasili spitalet në vendin tonë lënë shumë për të dëshiruar si për nga kushtet e ofruara por edhe për shërbimet në spitale të cilat në të shumtat e rasteve nuk ofrojnë për qytetarët një sistem të kënaqshëm shëndetësor.
Arta AGOLLI