Ish-Kënetë, gati tapitë e para
Në Durrës, dega e ALUIZNI-t ka nisur mbushjen e tapive të para për zonën e pare informale të ish-Kënetës. Andi Lila, drejtori i degës, tha dje për standard se ALUIZNI ka shpallur për të gjithë ata që kanë shtëpi pa leje për të legalizuar listën e qytetarëve që do të marrin tapitë në qytetin e Durrësit, në zonën e ish-Kënetës . Sipas tij: Për rreth 2300 persona nga kjo zonë, ka përfunduar gjithë dokumentacioni tekniko-ligjor dhe qytetarët mund të shlyejnë detyrimet e tyre edhe me bono privatizimi sipas një grafiku që shoqërohet me tabelat përkatëse. Sipas informacionit që jepet nga drejtori ALUIZNI-t, Lila, qytetarët duhet të dorëzojnë një kërkesë për mënyrën se si do të paguajnë. Deri në 300 metra katrorë, deri në 70 për qind mund të kryhet pagesa me bono privatizimi, ndërkohë që për mbi 300 metra katrorë paguhet vetëm 50 për qind e vlerës me bono privatizimi. Ndërsa për të gjitha ato shtëpi që janë jashtë vijës së verdhë dhe kanë mbi 500 metra, paguhet me bono privatizimi 70 për qind e vlerës. Lista e Durrësit nga ALUIZNI vjen menjëherë pas listës së parë të legalizimit botuar nga kjo agjenci për dy zona kryesore në kryeqytet, njësitë bashkiake 1 dhe 2. Ndërkohë, këta qytetarë që kanë ardhur nga zona të ndryshme të vendit dhe janë vendosur prej vitesh në zonën e ish-Kënetës në Durrës, tashmë do të kenë një tapi në duart e tyre. Zona e ish-Kënetës shtrihet në periferinë e Durrësit në një sipërfaqe prej 35 ha.