Tafaj në Finlandë : Sistemi arsimor finlandez, për tu marrë si shembull
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, zhvilloi një vizitë pune në Helsinki, me ftesë të ministres së Arsimit dhe Shkencës të Finlandës, znj. Henna Virkkunen, ku deklaroi se po shqyrtohet mundësia e aplikimit të sistemit finlandez të arsimit të lartë në Shqipëri. Sistemi arsimor finlandez është një sistem elitar dhe një model që po studiohet me shumë vëmendje edhe nga ekspertët tanë që po punojnë për reformat në arsim, - tha Tafaj. Gjatë prezantimit të reformave dhe arritjeve në sektorin e arsimit në vend, në takimin me ministren e Arsimit dhe Shkencës së Finlandës, znj. Virkkunen, ministri Tafaj theksoi se arsimi është prioritet madhor i qeverisë shqiptare. Në mënyrë të veçantë, ministri Tafaj vlerësoi angazhimin e qeverisë për krijimin e mundësive të barabarta për shkollim të fëmijëve dhe të rinjve në arsimin bazë dhe atë të mesëm, liberalizimin e arsimit të lartë, kualifikimin dhe rritjen e pagave të mësuesve, shtrirjen e IT në të gjitha shkollat dhe modernizimin e infrastrukturës fizike të arsimit në gjithë vendin. Të dy ministrat u shprehën të gatshëm për fillimin e bisedimeve për përgatitjen e një protokolli bashkëpunimi në arsim, midis Shqipërisë dhe Finlandës.
Nga ana e saj, ministrja Virkkunen, duke vlerësuar vizitën zyrtare të homologut shqiptar, si fillimin e një bashkëpunimi konkret, shprehu gatishmërinë për mbështetjen e institucionit të saj me asistencë për aspekte të veçanta të reformës së arsimit, në mënyrë të veçantë, në përgatitjen universitare dhe kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve.