E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, mjekët i drejtojnë pacientët te privati

Mjekët po i drejtojnë pacientët drejt spitaleve private brenda ose jashtë vendit. Ky konstatim i vënë re jo vetëm nga pacientët është bërë publik edhe nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, institucion në mbrojtje të të drejtave të pacientëve. Kreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi, ka shprehur mjaft rezerva për cilësinë e shërbimit spitalor pothuajse në të gjitha institucionet shëndetësore publike të vendit. Sipas Urdhrit të Mjekët, cilësia e ulët e shërbimit në spitalet tona po i çon pacientët në dyert e spitaleve private, brenda apo jashtë vendit. Urdhri i Mjekut pohon se mungesa e infrastrukturës dhe pajisjeve të duhura mjekësore po ndikojnë negativisht në sistemin shëndetësor shtetëror. Kjo situatë, sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, ka çuar në shumë raste edhe në veprime agresive të pacientëve apo të të afërmve të tyre ndaj mjekëve. Për të gjitha këto arsye, një pjesë e madhe e pacientëve që i drejtohen spitaleve publike janë të pakënaqur me sistemin shëndetësor, pasi mjekët nuk i trajtojnë dhe diagnostikojnë siç duhet. Sipas Urdhrit të Mjekut, sistemi shëndetësor shqiptar është ende i pasigurt dhe i paaftë për të kënaqur kërkesat e pacientit. Pas denoncimeve të mbërritura në zyrat e tij, Urdhri i Mjekut ka dalë në përfundimin se qytetarët nuk kanë besim te shëndetësia në vend, pavarësisht reformave të ndërmarra në këtë fushë. Kryetari i Urdhrit të Mjekut u rekomandon autoriteteve shëndetësore përfshirjen e mjekëve në analizën e proceseve që krijojnë potenciale për gabime, kjo do të ndikojë, sipas tij, dhe në rritjen e shërbimit ndaj pacientit. Nga ana tjetër, presidenti i Urdhrit të Mjekut i ka bërë apel pacientëve e shoqatave të tyre të ngrenë zërin për të mbrojtur të drejtat e tyre, që tashmë janë të sanksionuara dhe me ligj. Dine Abazi tha se problemet në sistem janë të dukshme dhe të gjithë jemi dëshmitarë të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›