E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Pogradec premton statusin e minatorit



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me ish-minatorët e Gurit të Kuq në Pogradec. Gjatë takimit të zhvilluar me ta, Rama ka preferuar që të tregojë angazhimet e socialistëve për këtë kategori të shoqërisë, e cila tha ai, është e diskriminuar në të drejtat e saj me këtë qeverisje. Kreu i PS u angazhua për firmosjen e statusit të minatorit. “Ne angazhohemi solemnisht përpara jush se ajo kërkesë legjitime e kahershme dhe e refuzuar për vite me radhe me pashpirtësi dhe me cinizëm nga kjo politikë e vjetër në pushtet dhe nga ky Kryeministër, që ka të bëjë me statusin e minatorit, do të merret nga ne parasysh dhe do të kthehet në realitet në 100 ditët e para të qeverisjes sonë”, - tha Rama. Ndërkohë Rama bëri një premtim edhe për ata minatorë, të cilët nuk kanë arritur moshën e pensionit, por ndërkohë nuk mundet të punojnë: “Për kategorinë e atyre që nuk punojnë dot dhe nuk e kanë arritur moshën e pensionit, nuk do i japim më trajtimin e veçantë prej 6.500 lekësh, por pensionin minimal. Domethënë, pensionin minimal që fillon nga të paktën 12 mijë lekë të reja. Pensionin minimal të qytetit, 120 mijë lekë, për secilin nga këta njerëz”, - thekoi kreu i PS-së. Rama është ndalur në faktin se jetëgjatësia e minatorëve është e shkurtër, sipas statistikave zyrtare, e shumica prej tyre nuk mund ta gëzojë pensionin me moshën e pensionit që rritet nga viti në vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›