Krimet, policia kontrolle për armë
Ngjarjet e rënda të ndodhura muajt e parë të vitit në qytetin bregdetar të Durrësit dhe më gjerë kanë vënë në lëvizje strukturat policore. Dy persona janë arrestuar pasi gjatë kontrollit janë gjetur me pistoleta në ambiente publike. Vrasjet dhe plagosjet me armë zjarri, sherret e armatosura mes nxënësve të shkollave dhe moria e vjedhjeve kanë bërë që policia të ndërmarrë masa dhe në drejtim të parandalimit të këtyre veprave penale dhe jo thjesht zbardhjes së tyre. Në pika të ndryshme të Durrësit kanë nisur kontrollet e personave me precedentë penalë dhe që janë kontingjente policie, si dhe në lokalet e frekuentuara rëndom nga të rinjtë. Në një deklaratë për median, Ornela Cako, zëdhënëse e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës ka deklaruar arrestimin e dy shtetasve të cilët mbanin me vete armë zjarri në ambiente publike. Gazmend çollaku, 27 vjeç nga Durrësi, është arrestuar nga blutë e Durrësit, pasi në mbrëmje vonë është kapur në një internet-kafe në Lagjen 9 të qytetit me një pistoletë model 54 dhe një krehër me 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i mbante pa leje. Zëdhënësja sqaroi se ky person ka qenë i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Dy vjet më parë krimi qe konsumuar në një lokal në Lagjen 1 të Durrësit në prani të shumë njerëzve. Pavarësisht kapjes së tij disa muaj pas krimit, me një automatik dhe pistoletë, si dhe krimin e kryer, ka arritur t’i shmanget drejtësisë.
#