Vata në “luftë” me Abramoviçin për yllin rus Bilyaletdinov

Rudi Vata e konsideron si një kulm të karrierës së tij. Në fakt, është befasuese. Një agjent shqiptar i FIFA-s menaxhon kapitenin e Lokomotivës së Moskës, Dinijar Bilyaletdinov. Mesfushori 23-vjecari ishte një nga lojtarët e përfaqësueses ruse, duke luajtur 5 ndeshje. "Bilyaletdinov konsiderohet një nga yjet e rinj të futbollit rus dhe është i jashtëzakonshëm si mesfushor. Ka qenë po aq i kërkuar në treg sa dhe Andrei Arshavin e Roman Pavlicenko. Është fat që m'u besuan mua të drejtat e tij në Britaninë e Madhe, pasi Dinijar kërkohet nga Arsenali, Aston Vila e Bllekbërni", - tha për Albania-sport.com, Rudi Vata, i cili e konsideron një arritje të konsiderueshme të kompanisë së tij "Vata Vision Football Management". "Si duket dicka kam bërë, pëderisa ky lojtar më ka preferuar dhe më ka zgjedhur mua për ta menaxhuar në Angli", shton Vata, i cili më parë ka realizuar edhe transfertën e skocezit Geri O'Konor te Lokomotiva e Moskës e ka njohje personale me drejtuesit e klubit moskovit. "Në Rusi kam kontakte më një numër të madh klubesh. Ishte familja e lojtarit që më bëri telefonatën, nuk i kam kërkuar. Më kërkuan të dinin nëse unë kisha mundësi të punoja për Bilyaletdinovin".
Transferta e pritshme është në shuma të konsiderueshme, pasi vetëm Lokomotiva e Moskës kërkon të paktën 10 milion euro, ndërsa paga e Bilyaletdinov shkon deri në 2.5 milionë euro.
"Unë kam marrë të drejtat e transferimit të tij në Angli dhe klubet e interesuara kanë kontaktuar me agjencinë tonë dhe mua personalisht për të marrë informacionet e duhura, për detajet e kërkesat specifike. Bilyaletdinov është i dyti në listën e dëshirave të Arsenalit, dhe në momentin që trajneri Venger nuk do të mbyllë tratativat me të, atëherë i gjithë fokusi do të jetë mbi Bilyaletdinov", -
"Roman Abramovic (pronari i Celsit) pas Europianit e takoi personalisht Bilyaletdinov dhe i kërkoi të shkonte te Celsi, por lojtari ka dëshirë të shkojë te një skuadër ku mund të aktivizohet dhe të gjejë më tepër hapësirë, pasi shoku i skuadrës së tij, Ivanovic, i cili u largua nga Lokomotiva e Moskës te Celsi, gjatë muajit janar por luajti shumë pak. Kështu, që Bilyaletdinov kërkon një ekip ku mund të luajë nga java në javë".
Vata ka transferuar disa lojtarë, shqiptarë e të huaj. "Vata Vision Football Management është një kompani që po zhvillohet, është rritur shumë e po punon në të gjithë Europën, -thotë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare e themeluesi i kompniasë. "Punojmë në Gjermani, Francë, Zvicër, Poloni, Bullgari, Ukrainë, Rusi, Itali e deri në Japoninë e largët. Klientela jonë po rritet vit pas viti, por prioriteti ynë është punojmë me lojtarë me kualitet, por dhe me karakter, që e duan futbollin dhe dëshirojnë të ecin".
Në fillim të këtij viti Rudi Vata transferoi sulmuesin e Partizanit, Enco Malindin, te Slavia e Sofjes dhe mbrojtësin e Vllaznisë, Klodian Semina te Belasica po në Bullgari.
"Edhe mbrojtësi i Dinamos, Ditmar Bicaj e kaloi provën me Belasicën, dhe sipas drejtuesve të klubit brenda pak ditësh do të firmosë zyrtarisht kontratën. Trajneri i ri Belasicës e pëlqen shumë dhe ka folur me superlativa për të. Duke qenë se ka punuar në Turqi, bashkëpunëtori im Pavlo Panajotov më tha, se trajneri mendon se Ditmari mund të luajë në Turqi brenda një sezoni në një klubet më të mëdha që ka Turqia".
Vata flet edhe Enco Malindin. "Bëri një paraqitje të pëlqyeshme me Slavian dhe për interesohen disa klube. Me Strasburgun në Francë bisedimet janë në fazë më të avancuar. Drejtuesit kanë parë disa DVD dhe besoj se brenda merkatos së kësaj vere Enco i ka të gjitha mundësitë të transferohet në kampionatin francez".
Në listën "Vata" ndodhet edhe ish-sulmuesi tjetër i Partizanit, Arbër Abilaliaj. "Është në pritje të marrjes së vizës gjermane, e cila i është vonuar vetëm për arsye burokratike deri tani. Më 25 korrik, Abilialiaj do të fusë dokumentet dhe do të niset menjëherë për te Koblenci në Bundesligën 2", - përfundon Rudi Vata, i cili po i jep dorën e fundit transferimit të sulmuesit Xhulian Rrudho te Lodzi në Poloni.