Muriqi fton Woods për një duel në Kosovë apo Tiranë

Mediat angleze vazhdojnë të shkruajnë për mundësinë e përballjes mes anglezit Clinton Woods, ish-kampion bote në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin IBF dhe boksierit shqiptar Elvir Muriqi. E përditshmja "The Star" shkruan se promoteri i Woods, Dennis Hobson tashmë ka dërguar ofertat në drejtim të Elvir Muriqit dhe francezit Rachid Kanfouah për një duel që do të zhvillohej në tetor të këtij viti.
"Ne i kemi bërë oferta zyrtare Muriqit dhe francezit, por ne do të donim një duel me Muriqi i cili ka humbur me rezultat të ngushtë nga Tarver vitin e kaluar", ka thënë Hobson.
Ndërkohë "Kosova Kid" në një prononcim për "boxalb.com" ka konfirmuar se ka pranuar një ofertë nga ana e promoterit anglez, por e cila është tejet e pakënaqshme, ndërkohë që ka njoftuar për ofertën që ai i ka bërë kampit të boksierit anglez në mënyrë që dueli të zhvillohet para publikut shqiptar.
"Shuma që më është ofruar është shumë e vogël. Unë u kam thënë se jam i gatshëm që të paguaj shumë më tepër se aq nëse Woods do të vinte të boksonte në Kosovë apo në Tiranë. Do të pres edhe disa ditë sa të kthehet promoteri im nga Teksasi dhe pastaj do të kërkojmë një përgjigje për këtë ofertë tonën", ka thënë Muriqi. "Do të ishte një gjë e mirë nëse do të bëhej e mundur që të boksoj me një kundërshtar të këtij kalibri para popullit tim. Për më tepër do të jetë një luftë eliminatore dhe fituesi i saj do të ketë të drejtën për të boksuar për titullin botëror", ka shtuar Muriqi.
Dhe në fakt një përballje e tillë do t'i jepte publikut shqiptar për herë të parë mundësinë që të shohë një përballje të klasit botëror. Kjo pasi Clinton Woods ka një bilanc të mrekullueshëm në ringun profesionist me 41 fitore (24 prej tyre me nokaut) dhe vetëm 4 humbje e një barazim. Ka qenë tre herë kampion evropian në kategorinë gjysmë të rëndë, ndërsa brezin e kampionit të botës e ka mbajtur deri në prill të këtij viti kur u mposht nga Antonio Tarver, boksieri i cili Muriqin e kishte mposhtur me rezultat të ngushtë, madje rezultat që ishte kontestuar jo vetëm nga "Kosova Kid" por edhe nga mediat dhe ekspertët amerikan.
Muriqi nuk ka dashur që ta bëjë publike shifrën e cila i është ofruar për të boksuar në Angli përballë Woods, por ka njoftuar se shifra të cilën ai i ka ofruar anglezit për të boksuar në Kosovë apo në Tiranë është tre herë më e lartë.
Vendimi i Muriqit për të mos pranuar që të boksojë në Shiefeld të Anglisë duket i drejtë pasi përvec ofertës qesharake financiare, por edhe fakti se në ringun evropian është vërtetuar disa herë se boksierët vendas janë tejet të favorizuar nga ana e gjyqtarëve. Rasti i fundit ishte ai i 4 korrikut kur në Ankara të Turqisë Sinan Samil Sam fitoi "me dhunë" dhe jashtë ringut titullin e kampionit evropian.