Bllokohen 90 kg marihuanë,mister pronarët
VLORE – Bllokohen nga policia e Vlorës 90 kg lëndë narkotike. Sipas policisë, droga e llojit marihuanë ishte e fshehur në 9 thasë në afërsi të një banese në fshatin Bashaj të rrethit të Vlorës. Menjëherë pas gjetjes së sasisë së drogës, uniformat blu janë përhapur nëpër fshat, duke zhvilluar kontrolle të tjera, por nuk kanë gjetur ndonjë objekt tjetër të dyshimtë. Sipas policisë, lënda narkotike ka qenë e përgatitur për transport dhe vendndodhja e saj tregon se brenda një kohe të shkurtër mund të bëhej dhe lëvizja e saj për në një tjetër destinacion, ku tregu më i mundshëm është ai i vendeve fqinjë ose kryeqytetit. Droga ka qenë prodhim i viteve të kaluara dhe mund të ketë qenë e depozituar aty prej kohësh, për shkak të mungesës së një blerësi ose frikës prej policisë. Aksioni u krye në orët e para të mëngjesit, pas informacioneve të marra. q.b