Burgu i grave, zbulohen 25 gr hashash
Etleva Delia
Një kontroll i befasishëm në qelitë e burgut të grave në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, zbuloi mbrëmjen e së hënës 25 gramë kanabis dhe dy bateri telefonash celularë. Ndërkohë sipas burimeve nga Burgu 325, gjatë një kontrolli tjetër katër ditë më parë janë zbuluar edhe 5 telefona celular, të cilët ishin fshehur nga të dënuarat në brendësi të sifonit të banjës dhe në bolierët e dusheve. Bima narkotike, e futur në një qese transparente është gjetur poshtë barit në lulishten e sektorit të meshkujve që ndodhen në këtë burg. Mësohet se efektivat e policisë kanë realizuar kontrollin e qelive, pa lajmëruar asnjë nga gardianët dhe gjithçka është kryer në befasi të plotë, në mënyrë që të mos u linin mundësi të përgatiteshin për të fshehur objektet e jashtëligjshme që ndodheshin brenda qelive. Ende nuk është zbuluar se si kanë depërtuar brenda burgut objektet e ndaluara, por rastet tashmë po shqyrtohen nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
KONTROLLI
Forca të shumta policie të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur të hënën, disa orë para mesnate, në ambientet e Burgut 325, në lagjen “Ali Demi”. Policia ka nisur “përmbysjen” e çdo qelie duke kontrolluar imtësisht çdo skutë dhe vend ku mund të fshiheshin objekte të jashtëligjshme. Kontrolli ka qenë i befasishëm, pa iu lënë kohë të burgosurve që të fshihnin sendet e ndaluara. Sipas burimeve nga ky burg, mësohet se kontrolli i së hënës ka qenë një aksion i përgjithshëm për të evidentuar gjendjen aktuale të institucionit, pas një kontrolli të mëparshëm ku ishin gjetur 5 celularë. Të njëjtat burime thanë se përveç telefonave celularë, të zbuluar në dushet e burgut katër ditë më parë, gjatë kontrollit të dytë u gjet edhe një sasi prej rreth 25 gramë bimë narkotike, e dyshuar kanabis, e cila ishte fshehur poshtë barit në lulishte, që i përket sektorit të burrave në Burgun 325. Sipas informacioneve paraprake nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ende nuk është mësuar se kujt i përkisnin telefonat, si dhe dy bateritë dhe hashashi që u gjet në institucionin e vuajtjes së dënimit. Të dhënat dhe provat e mbledhura gjatë kontrollit i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
HETIMET
Pasi kanë zbuluar objektet e ndaluara, brenda ambienteve të burgut policët kanë marrë në pyetje gardianët e turnit kur u krye kontrolli, por edhe ata të turnit të paradites, në mënyrë që të zbulonin mënyrën se si celularët dhe droga ishin futur brenda. Ndërkohë mësohet se deri më tani asnjëri nga gardianët nuk ka pranuar të ketë pasur dijeni për objektet e zbuluara nga policia, madje për hashashin ata kanë deklaruar se mund të jetë hedhur nga jashtë mureve të burgut, nga ndonjë banor i zonës dhe është zbuluar poshtë barit.
Reagimi i punonjësve të burgut
Burime zyrtare nga Burgu 325 pohojnë se bima e dyshuar si lëndë narkotike është gjetur paraditen e së hënës jashtë rrethimit të brendshëm të burgut. Një i dënuar, i punësuar ka gjetur mes barit që po korrte një qese të dyshimtë, e cila mendohet se javë më parë mund të jetë hedhur nga jashtë burgut, por që nuk ka përfunduar brenda rrethimit. Pas këqyrjes ka rezultuar se ajo përmbante rreth 20 gramë hashash. Po kështu, gjatë një kontrolli të kryer katër ditë më parë në këtë burg nga policia janë gjetur pesë celularë.