E Diel, 1 Nëntor 2026

“Si llogariti Mediu të fuste në valle Withers”

 

“Jo vetëm ato që janë bërë publike, por edhe fakte të tjera të panjohura më parë”. Kjo ka qenë aksioma e publicistit të njohur Ardian Klosi, kur ka nisur të hedhë në memorien e kompjuterit faktet e para për shpërthimin vrasës të Gërdecit. Dhe në faqet e librit që vjen me titullin “Katastrofa e Gërdecit”, nuk mungojnë as dokumentet më të rëndësishme të aferës që solli tragjedi në dhjetëra familje, as dëshmitë ekskluzive të të mbijetuarve dhe as fakte që implikojnë njerëz në majë të kupolës së drejtimit të shtetit. Për herë të parë në libër sillet edhe një bisedë që vetë autori ka pasur me gazetarin Nicholas Wood të gazetës “New York Times”, që publikoi një shkrim investigativ për trafikun e fishekëve kinezë nga Shqipëria në drejtim të Afganistanit. Një takim që i pasqyruar në faqet e librit ka zbardhur fakte të reja, sidomos tentativën e ish-ministrit Fatmir Mediu për të përfshirë në aferën e fishekëve zyrtarë të lartë të ambasadës amerikane në Tiranë. Më poshtë vjen e plotë pjesa në libër, ku përshkruhen këto fakte.   
“...Një episod tjetër që vlen të shënohet në aferën e fishekëve është ardhja e gazetarit të ‘New York Times’, Nicholas Wood në Tiranë. Nick Wood kishte ardhur në kontakt me Kosta Trebickën aty nga fundi i muajit gusht 2007. Në të njëjtën kohë gazeta e tij kishte filluar investigimin në përgjithësi për municionet dhe armatimet që Pentagoni blinte nga vendet e Lindjes për t’i dërguar në Afganistan dhe në veçanti për cilësinë e keqe të shumë fishekëve 7.62 mm, çka e përqendroi interesin e saj dalëngadalë në Shqipëri.
Nick Wood erdhi këtu për të verifikuar gjithë akuzat që ngrinte Kosta Trebicka dhe informacionin që kishte marrë gazetari tjetër Christ Chivers për fishekët në Afganistan. Wood mori në intervistë ndër të tjerë ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun. Gjatë saj ministri u zemërua dhe filloi të bërtiste në dy momente: kur iu përmend një dënim që ka marrë nga gjykata e Milanos lidhur me një ngjarje të vitit 1998 dhe pas pyetjes nëse merrte përqindje nga Heinrich Thometi përmes Edvin Ltd. Për këtë çështjen e dytë folëm më lart, ndërsa vendimi i Gjykatës së Milanos me nr. 454/02 e dënonte z. Mediu me 3 vjet burg për ndihmën që i jep duke e marrë në një delegacion parlamentarësh shqiptarë, nën një pasaportë të rreme, një personi shumë të kërkuar nga drejtësia italiane1.
Të nesërmen njerëz të ministrit shkojnë me një furgon në shtëpinë e kameramanit që kishte regjistruar intervistën dhe marrin kasetën në fjalë, madje bashkë me kasetën edhe kompjuterë dhe aparatura të tjera. Indinjatën e gazetarit të NYT pas këtij rrëmbimi e përshkruan edhe Kosta Trebicka: “Unë pashë reagimin e tij, atij iu vodh kaseta kur po më intervistonte. Ai filloi të bisedonte, më duket me z. Fatmir. Biseda telefonike dukej që ishte tepër e acaruar. Unë kuptoj anglisht dhe kuptoj se i tha që urgjentisht të dorëzohej kaseta brenda dy-tre orësh pasi ai do të ikte. Ka qenë ora 10:00-11:00 paradite, brenda ambienteve të punës sime, te magazinat e mia”. Megjithëse iu premtua, ajo kasetë nuk iu dërgua kurrë gazetarit. Jo vetëm kaq, por Fatmir Mediu i shkroi edhe letër kryeredaktorit të NYT që të mos botohej artikull për Shqipërinë. Në ato javë personat e implikuar në aferën e fishekëve për Afganistan ishin si në ethe. Disa redaksi, falë informacionit të Kosta Trebickës dhe përgjimeve që ai kishte dërguar për provë, po kërkonin të hulumtonin më shumë. Por dihen mundësitë e kufizuara të gazetarëve shqiptarë, veç kësaj pushteti po tregonte se do të ishte shumë hakmarrës në qoftë se ndonjë gazetë do të guxonte ta botonte aferën. Përmendej ndër të tjerë emri i djalit të kryeministrit si pjesëmarrës në një takim me Pinarin e Delijorgjin. Një grupi mediatik iu ndërpre në atë kohë për javë të tëra energjia elektrike, shenjë e qartë reagimi për një guxim të tepruar që po tregonte një redaksi e tij lidhur me aferën e fishekëve. Vetë pak a shumë në këtë kohë e kam mësuar historinë në vijat kryesore. Me disa miq e kolegë shpresonim të botohej më në fund – ishte muaji dhjetor – artikulli në ‘New York Times’ që ta mësonte publiku atë aferë korruptive me të tilla përmasa. Por më kot, do të kalonin edhe tre muaj, do duheshin shpërthimet e përgjakshme të Gërdecit që të dilte në shesh edhe afera e fishekëve dhe të botohej më në fund artikulli në ‘New York Times’. Nick Woods kishte shprehur dëshirën që të shikonte hangarët e bazës ushtarake të Rinasit për të verifikuar vërtetësinë e ripaketimit të fishekëve si përpjekje për të fshehur markën kineze të prodhimit. Ministria e Mbrojtjes bie dakord që t’ia lejojë këtë gjë të nesërmen në mëngjes, më 20 nëntor. Por më datë 19 në mbrëmje vonë ministri Fatmir Mediu kërkon një takim urgjent në ambasadën amerikane. Aty e presin rreth orës 23:00. Ky takim përshkruhet në mënyra të ndryshme nga ish-sekretari për çështje të mbrojtjes në ambasadë dhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers II në Los Angelos Times. Aty ku përputhen dy dëshmitë është fakti që Mediu vjen në ambasadë shumë i shqetësuar për shkak se një gazetar i NYT kërkon të bëjë verifikime. Ambasadori Withers tregon: “Mediu u tha zyrtarëve amerikanë se ishte shqetësuar shumë nga telefonata e një reporteri të NYT që heton lidhur me probleme të dikurshme legale dhe aferë eventuale korruptive, duke kërkuar që të shkojë të nesërmen në aeroport për të parë stoqet me municione të kontrolluara nga ministria”. Në të njëjtën kohë ambasadori e quan të pavërtetë deklaratën e ish-atasheut të tij ushtarak, që tha para komisionit Waxmann se ambasadori i paskej dhënë të drejtë Mediut që ishte në hall si ta fshihte origjinën kineze të fishekëve; ky punonjës i ambasadës vazhdonte në deponimin e tij, se Mediu e paskej urdhëruar vartësin e tij Shpëtim Spahiu në sy të drejtuesve të ambasadës që të organizonte heqjen e arkave me municione nga Rinasi. Duket e pabesueshme, megjithatë është e vërtetë: Mediu i ka kërkuar ambasadorit amerikan këshillë, në prani të tre personave të tjerë, se si t’ia bëjë për të larguar gjurmët e municionit kinez nga Rinasi para se të vijë aty gazetari i NYT2. Edhe pse nuk mund të quhet veprim i urtë, nga një ministër që sa kemi shtjelluar deri këtu nuk ka hedhur asnjë hap e nuk ka nënshkruar asnjë shkresë të urtë, ai prapë nuk është bërë në rrëmbim e sipër nga dikush që e kap paniku. Ministri shqiptar i Mbrojtjes kalkulon që të fusë në vallen e një veprimtarie të paligjshme që ai po heq prej muajsh me Diverolin, edhe një ambasadë, ta bëjë ambasadorin bashkëdijtës e ndoshta edhe bashkëfajtor duke i marrë ndonjë sugjerim për maskimin e ditës së nesërme, pas kushedi çfarë skeme që ka në mendjen e tij, si pjesëtarë të një fronti të përbashkët në luftën kundër terrorizmit për furnizimin e vëllezërve afganë, pavarësisht dëmeve që mund të shkaktojë shtypi i lirë. Veç kësaj e gjitha duket një blof, sepse në ato kohë sipas të gjithë treguesve dërgatat e MEICO-s drejt Afganistanit janë përmbyllur: në akt-padinë e Gjykatës së Floridës nuk figurojnë më transporte pas datës 31.10.2009. “Në atë kohë operacioni i ripaketimit i AEY, për të cilin SHBA kishte hapur një hetim, ishte përmbyllur”, shkruan edhe LAT. Ambasadori amerikan reagon ashtu siç reagon një diplomat i mençur. “Ai dhe pjesëtarët e tjerë të ambasadës nuk dhanë asnjë shenjë që i miratonin idetë e tij, i sugjeruan vetëm që të bënte një përgënjeshtrim kur të dilte artikulli në gazetë”.
“Përshtypja ime përpara se të shkonim në aeroport, e jo prej Mediut, ishte që operacioni i paketimit kishte përfunduar. Zor se mund të gjeje më aty kuti të vjetra. S’mund të them nëse ka brenda ndonjë gjë të vërtetë kjo historia e operacionit të spastrimit”. “Më pëlqen shumë versioni i paraqitur nga Mediu në Parlament, ku ai tha se arriti të më heqë nga ‘New York Times’” vazhdon Nicku, duke buzëqeshur, me çiltërsinë dhe humorin e zakonshëm të shumë anglezëve. Në të vërtetë është larguar nga NYT prej kohësh, para publikimit të aferave shqiptare, dhe sot punon për organizata të të drejtave të njeriut...”.

Klosi: Gërdeci ishte katastrofë e politikës
“Gërdeci u gatua nga politika, përfundoi në shpërthime apokaliptike, çka përbën katastrofën e një politike të caktuar, e një mënyre të caktuar keqqeverisjeje...”. Ky është sipas Klosit mesazhi kryesor që përcjell punimi i tij i fundit me titull “Katastrofa e Gërdecit”. Në një intervistë të drejtpërdrejtë, publicisti i njohur rrëfen të gjitha etapat që u finalizuan me botimin e këtij libri.
Si ju lindi ideja të investoheshit në këtë çështje?
Po, sa të merresha përsëri me histori të largëta nga mesjeta, vendosa të angazhohem me një temë që ka tronditur gjithë shqiptarët dhe që flet shumë për punët e shtetit tonë. Veç kësaj më shprehu gatishmërinë për të mbështetur projektin ish-drejtuesi i Fondacionit Soros në Shqipëri, Çapajev Gjokutaj, njeri që na ka përkrahur në disa ide tona prej viteve të ndryshimit.
Si është konceptuar vendosja e materialit në libër? Kemi të bëjmë me një libër thjesht të karakterit dokumentativ, apo aty futeni edhe vetë me qëndrimet e analizat tuaja?
Kryesorja është mbështetja e shtjellimeve dhe shpjegimeve mbi dokumentet më të rëndësishme që njihen. Veç këtyre kam zhvilluar një numër bisedash me specialistë, gazetarë, juristë e sidomos me punëtorët e ish-punishtes së Gërdecit dhe familjarë të viktimave. Nga ky arkiv që është mbledhur duke filluar nga muaji prill 2008 e deri në ditët e fundit kur po shkonte libri në shtyp, kam qëmtuar ato që janë më me peshë e më domethënëse. Natyrisht nuk mungojnë interpretimet e mia: duke qenë që është e pamundur të rrish i ftohtë në çështjen e Gërdecit, ku humbën aq jetë njerëzish vetëm prej babëzisë së fitimit të pak vetëve, e them që në krye se nuk rri dot i paanshëm dhe se mbaj anën e viktimave.
Mësuam se në libër janë përfshirë materiale që botohen për herë të parë. Përse bëhet fjalë?
Sikurse e përmenda këto janë kryesisht biseda me njerëz të ndryshëm, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi me ngjarjen. Për shembull, një bisedë e gjatë me një ish-drejtor të uzinës së Poliçanit na dëshmon se demontimi industrial i predhave është bërë prej vitit 2000 aty dhe me sukses, e se Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria po të dëshironte, e kishte zgjeruar linjën e Poliçanit dhe s’kishte absolutisht nevojë t’ia dërgonte predhat e artilerisë një privati të dyshimtë pa licencë. Ose biseda me një ish-gazetar të NY Times na tregon dhunën që ushtroi mbi të ish-ministri i Mbrojtjes duke i rrëmbyer kasetën ku ishte filmuar ose skenën komike të vizitës së tij në ambasadën amerikane më 19 nëntor 2008, gjoja për të kërkuar ndihmën e kësaj ambasade në fshehjen e fishekëve kinezë të destinuar për Afganistan. Por sidomos bisedat me gati gjithë familjarët e viktimave dhe me shumë ish-punëtorë të Gërdecit ndërtojnë tablonë e asaj çfarë ka ndodhur vërtet atje.
Çfarë del të jetë në punimin tuaj ajo që ndodhi në Gërdec? Një katastrofe, një aksident, një organizim mafioz, korruptiv apo diçka tjetër?
E quaj katastrofë dhe jo siç është bërë zakon “tragjedi”, sepse tragjedia ka diçka sublime, gati të pashmangshme, kurse katastrofa është fundi i një të tatëpjete ku njerëzit futen me dëshirën e tyre. Gërdeci u gatua lart nga politika – siç na e vërtetojnë një numër dokumentesh, një pjesë prej tyre të botuara edhe nga gazeta juaj – dhe përfundoi në shpërthime apokaliptike, çka përbën katastrofën e një politike të caktuar, e një mënyre të caktuar qeverisjeje ose keqqeverisjeje. Mjerisht një katastrofë e përgjakshme, ku humbën jetën kaq njerëz të pafajshëm, shumica e tyre gra, të rinj, fëmijë. Por në një kuptim mund të thuhet se sakrifica nuk ishte krejt e kotë: ajo na zbuloi rrënjët organizimit të fshehtë që thoni ju, e bëri korrupsionin të tejpashëm si në asnjë rast tjetër të viteve të fundit. Tani i mbetet vetëm drejtësisë të bëjë drejtësi dhe shoqërisë të nxjerrë mësime. 
Fe. De.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›