Meta: LSI nuk pajtohet me stanjacionin, me ngeljen pas në Integrim
Aktivi i LGI në Vlorë, 200 anëtare të reja i shtohen radhëve të LSI-së
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë sot në aktivin e LGI-së në qytetin e Vlorës. Në këtë aktivitet mjaft entuziast, ku merrnin pjesë qindra gra dhe vajza anëtare dhe simpatizante të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë anëtarësuar rishtas në LSI edhe 200 anëtare të tjera. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta falënderoi të gjithë të pranishmet “për atë mikpritje të jashtëzakonshme që treguat me gjithë familjarët dhe bashkëqytetarët tuaj duke organizuar festime të jashtëzakonshme që kanë lënë mbresa të thella në mbarë kombin tonë”. Më pas kreu LSI duke cituar shprehjen e Sami Frashërit i cili ka thënë që, “Të arsimosh një burrë do të thotë të mbjellësh një pemë që lëshon hije, por të arsimosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë që jo vetëm lëshon hije por bën edhe fruta”, Meta deklaroi se kjo është shprehja më e qartë e asaj që gruaja nuk është një forcë e madhe, por është forca më e madhe e shoqërisë sonë dhe kjo forcë duhet ti çlirojë të gjitha energjitë dhe potencialet e saj njerëzore, shoqërore, intelektuale në mënyrë që vendi të tejkalojë stanjacionin në të cilin ndodhet sidomos për sa i takon integrimit evropian. Ndër të tjera, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi nga Vlora se patriotizmi i vërtetë është të bësh gjithçka për interesin më të madh që kërkon vendi në momentin kur ti je dëshmitar. Ai u shpreh i bindur se Lëvizjes e Gruas për Integrim po kthehet në një fuqi të jashtëzakonshme motivuese për të gjithë LSI-në por jo vetëm kaq por po kthehet në një promotore të angazhimit të gruas dhe të vajzës në jetën politike dhe sociale. Sipas tij, LSI jeton me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve dhe do të ketë ato gjithmonë në qendër të vëmendjes sepse qytetarët duan më shumë mundësi për punësim, më shumë mundësi për të arsimuar fëmijët e tyre, një përkujdesje më të madhe për problemet e shëndetit. Duke folur mbi pjesëmarrjen e gruas dhe vajzës në masën 50% në strukturat drejtuese të LSI-së, Ilir Meta tha se fuqizim i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe demokratizim i vërtetë i shoqërisë. Sipas tij kjo është një indikator i rëndësishëm për të përcaktuar standardin e demokratizimit të një shoqërie dhe të një vendi. “Konventa Kombëtare e LSI ndërmori një nismë tepër revolucionarizuese për politikën shqiptare duke vendosur për herë të parë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50 për qind me 50 për qind, në forumet drejtuese të LSI-së. Kryesia e sotme e LSI-së është zgjedhur duke respektuar këtë parim dhe kur të bëhen zgjedhjet në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë, kudo do të ecet me këtë parim, barazi e plotë gjinore. Fuqizim i gruas do të thotë fuqizim i familjes sonë, e cila është tronditur nga problemet e shumta ekonomike dhe sociale. Fuqizim i gruas do të thotë fuqizim i shoqërisë, do të thotë demokratizim i vërtetë i saj. Nuk ka indikatorë më kuptimplotë dhe më të pagabueshëm për të përcaktuar standardin e demokratizimit të një shoqërie dhe të një vendi se sa roli real, pesha reale që zë gruaja në të gjithë jetën shoqërore, sociale, politike dhe ekonomike”, u shpreh Meta. Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se mesazhi i LSI-së është një mesazh pozitiv, është një mesazh konstruktiv, është një mesazh ç’tensionues, është një mesazh që shkon në interes të qytetarit dhe jo të konfliktit që pengon zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
...