E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu gjobit Ramën me 1 milion lekë të reja

Pastruesit e qytetit të Tiranës kanë abuzuar me detyrën ditën e premte, duke sjellë mbeturinat nga Sharra në qendër të qytetit. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në bazë të informacionit të marrë nga Policia e Shtetit, në datë 4 dhe 5 dhjetor është konstatuar se në rrugë dhe drejtime të ndryshme të qytetit Tiranë, mjete të Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit kanë shkelur rregullat e punës. Mjedisi ka sqaruar se punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në varësi të Bashkisë Tiranë, kanë pasur si destinacion të derdhjes së plehrave të Sharrës qendrën e kryeqytetit, bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Mbeturinat ishin të sistemuara në qese plastike të zeza. Bazuar edhe në verifikimet në vend, referuar ligjit nr. 9010, dt. 13.02.2003, për administrim mjedisor të mbetjeve të ngurta, Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë, penalizon Ndërmarrjen Pastrim Gjelbërim me masën gjobë 1 milion lekë të reja për kundërvajtje administrative.

"Duke marrë shkas nga deklarimi i Ministrisë së Mjedisit, lidhur me ndotjen dhe gjobën e vënë ndaj Bashkisë së Tiranës, gjatë protestës së pushtetit vendor ditën e shtunë, dua të sqaroj opinionin publik dhe vetë zv.ministrat e qeverisë, se të vetmit ndotës në atë ditë kanë qenë forcat e Policisë së Shtetit, të cilët në mënyrë të dhunshme kanë marrë nga duart e punonjësve të bashkisë qeset me mbeturina që ishin element dekori i protestës sonë dhe i kanë hedhur nëpër rrugë e në skarpatet e Lanës", tha Hantin Bonati, drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Territorit Urban. Sipas tij, për këtë arsye, Bashkia e Tiranës në bazë të ligjit dhe vendimit të Këshillit Bashkiak, do të procedojë me gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit, ndërsa Drejtoria Juridike është duke përgatitur kallëzimin penal për ushtrim dhune të jashtëligjshëm nga ana e forcave policore. Gjobën tonë e mbështesim me prova filmike e fotografike dhe nëse ministria nuk i ka parë kronikat televizive, ne i vëmë në dispozicion një DVD, me të gjitha filmimet përkatëse, në mënyrë që gjobës së saj t‘i ndryshojë destinacionin, kundrejt Policisë së Shtetit. Në të njëjtin kuadër, ne si inspektorat kemi konstatuar që Këshilli i Ministrave në fushatën publicitare për organizimin e një eventi në sheshin "Skënderbej", ka përdorur në një masë të gjerë vendosjen e mbi 1000 posterave nëpër pemët e qytetit, duke i dëmtuar ato dhe duke shkelur ligjin. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të procedojë me gjobitjen e subjektit juridik "Këshilli i Ministrave", me gjobë në vlerën 129 mijë lekë. Njoftohet subjekti në fjalë, se afatet e ankimimit janë 30 ditë nga vendosja e gjobës".

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›